Kosova në trekëndëshin e vendimeve: Washington, Hagë dhe “Vetëmenaxhimi” serb

04 shtator 2026 | 10:32

Shkruan: Hisen Berisha 

Kosova sot gjendet në një trekëndësh vendimesh dhe zhvillimesh me pasoja të drejtpërdrejta për shtetësinë e saj, si vendimet e Konferencës së Washingtonit, zhvillimet dhe vendimet e Dhomave të Specializuara në Hagë dhe “vetëmenaxhimi” i serbëve, si dhuratë që ua bëri Albin Kurti.

Nëse dëshirojmë të shohim se cilat janë vërtet rreziqet dhe kush po e dëmton shtetësinë e Kosovës, atëherë platforma politike që duhet ta ndjekim, jo për imitim, por si parim, është:

“KOSOVA E PARA”!

Dialogu i institucioneve të Republikës së Kosovës me BE-në e kishte sjellë vendin buzë një përplasjeje të ashpër politike me opozitën, me përdorimin e të gjitha mjeteve të kundërshtimit, madje edhe në sallën e Kuvendit.

Në këtë situatë, Presidenti Hashim Thaçi bëri një lëvizje të detyruar politike, ku rolin e kryenegociatorit e mbajti në pozitën e Presidentit, në mënyrë që t’i krijonte Qeverisë hapësirë për t’u marrë me krizën ekonomike dhe me hallet e mëdha të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët po migronin drejt Perëndimit me të gjitha mjetet, duke e rikujtuar një nga eksodet më të rënda të kombit tonë.

Ndërkohë, Qeveria Mustafa, nën një trysni të paparë, kishte pranuar planin për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Presidenti Thaçi e “nxori” Kosovën nga ky presion duke e dërguar çështjen e Kosovës në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, duke e paraqitur drejtpërdrejt hallin e Kosovës, të cilin Vuçiqi e kishte rënduar edhe përmes negociatave me BE-në, duke ushtruar presion për krijimin e Gjykatës Speciale dhe Asociacionit.

Pikërisht këtu qëndron një nga kthesat më të rëndësishme.

Përkundër kundërshtimit ekstrem të Albin Kurtit, në tryezë u soll Marrëveshja e Washingtonit, të cilën e nënshkruan aktorët politikë të kohës, pa Presidentin Hashim Thaçi, i cili u ndalua dhe u dërgua në Hagë në rrugën për këtë takim.

Gjendja e rënduar pas kësaj u thellua edhe më shumë. Zgjedhjet në Amerikë sollën në Shtëpinë e Bardhë Joe Bidenin, administrata e të cilit, ndonëse fillimisht e njohu Marrëveshjen e Washingtonit, sipas kësaj qasjeje politike, e la atë mënjanë shumë shpejt.

Kjo na solli deri te momenti i përplasjes së rëndë rreth rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Administrata Biden e riktheu Republikën e Kosovës në orbitën e BE-së dhe, bashkë me të, në krye të dialogut vendosi një format që, sipas kritikës sonë, nuk garantonte trajtim të barabartë të shtetësisë së Kosovës: Kurti, Vuçiq, Borrell dhe Lajçak.

Pas gjithë kësaj, nëse duam të shpëtojmë atë që është ndërtuar me shumë sakrificë, duhet të ndërtojmë një platformë të qartë politike: “KOSOVA E PARA”.

Kjo do të thotë ta rikthejmë Kosovën në Shtëpinë e Bardhë, në atë marrëdhënie strategjike që u ndërtua dhe u simbolizua gjatë administratës së Presidentit Donald Trump.

Do të thotë gjithashtu të rikthejmë në qendër të vëmendjes figurat që kanë bartur përgjegjësi shtetërore në periudhën e ndërtimit të shtetësisë së Kosovës, përfshirë Hashim Thaçin dhe Avdullah Hotin, dhe së bashku të garantojmë shtetësinë e Republikës së Kosovës.

Një Kosovë e tillë duhet të jetë pa pikën 7 të Ohrit, pa mekanizma që cenojnë funksionalitetin e shtetit dhe pa vazhdimin e shkeljeve kushtetuese që, sipas kësaj qasjeje, janë akumuluar gjatë këtyre gjashtë viteve.

Grindja rreth zgjedhjes së Presidentit të Kosovës mund të jetë edhe një taktikë për të fituar kohë deri te zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, me shpresën se ndryshimet politike atje do të krijojnë rrethana të reja për vazhdimin e krizës. Por, marrëveshja dhe zgjedhja e presidentit nuk duhet të bëhet pretekst për zvarritje të funksiinalizimit kushtetues të shtetit.

Prandaj, ne duhet të veprojmë si forca politike nën platformën
“KOSOVA E PARA”.

Jo si slogan partiak, por si parim shtetëror.

Së pari, duhet të konstituojmë Kuvendin. Pastaj të formojmë Qeverinë. Çështjen e vonesës dhe të çdo kontesti kushtetues duhet ta dërgojmë drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojmë interpretim institucional.

Ndërkohë, duhet të flasim seriozisht për një President konsensual, i cili do të jetë mbi interesat partiake dhe do të përfaqësojë interesin e shtetit.

Nëse vonesa nuk përbën shkelje kushtetuese, vazhdojmë me procesin institucional.

Nëse Gjykata Kushtetuese konstaton shkelje, atëherë duhet të veprohet sipas Kushtetutës. Edhe nëse kjo nënkupton shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja.

Por këtë herë, jo si zgjedhje për një parti. Kësaj here, si zgjedhje për Kosovën.

KOSOVA E PARA!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka bërë thirrje për pjesëmarrje…