Hajdar Beqa: Të dielën në Gllogjan tubim i madh i veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve: “Liria nuk dënohet!”

05 shtator 2026 | 12:28

Veteranë, invalidë të luftës së UÇK-së dhe familje të dëshmorëve nga Zona Operative e Dukagjinit do të mblidhen të dielën në Gllogjan, në një tubim me mesazh të fuqishëm për drejtësi.

Të dielën, më 6 shtator, në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, do të mbahet një tubim i organizuar nga shoqatat e dala nga lufta në Dukagjin, me iniciativë të platformës “Liria ka Emër”. Aktiviteti nis në ora 19:00 dhe mbahet nën moton: “7 zona, 7 zjarre, një luftë, një kujtesë, drejtësi.”

Në këtë tubim pritet të marrin pjesë veteranë, invalidë të luftës së UÇK-së dhe familje të dëshmorëve të Zonës Operative të Dukagjinit.

Mesazhi kryesor i organizatorëve lidhet me kërkesën për drejtësi dhe me proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Pjesë e organizimit është edhe ish-deputeti, ish-ushtari i UÇK-së dhe veterani i luftës, Hajdar Beqa, i cili ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në këtë tubim.

“Të nderuar veteranë, invalidë të luftës së UÇK-së dhe familje të dëshmorëve të Zonës Operative të Dukagjinit.

Të dielën, më 6 shtator, në ora 19:00, në Kompleksin Memorial ‘Dëshmorët e Kombit’ në Gllogjan, bashkohemi në tubimin ‘7 ZONA, 7 ZJARRE, NJË LUFTË, NJË KUJTESË, DREJTËSI’.

Aktiviteti, i iniciuar nga platforma “Liria ka Emër” dhe i organizuar nga shoqatat e dala nga lufta në Dukagjin, synon të nderojë dëshmorët dhe të përcjellë një mesazh të fuqishëm për drejtësi.

“Liria nuk dënohet! Ata janë të pafajshëm dhe do të kthehen fuqishëm në atdhe!

Gllogjani na pret. Të bashkuar për drejtësi!”, ka deklaruar Beqa.

Për Zonën Operative të Dukagjinit, organizator i këtij tubimi është bërë e ditur se është kolonel Avdyl Mushkolaj.

Tubimi pritet të shërbejë edhe si një moment bashkimi për familjet e dëshmorëve dhe pjesëtarët e luftës, në shenjë respekti për të rënët dhe në mbështetje të kërkesës për drejtësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, në një intervistë për “informer…