Pas Likocit, ‘Zjarri i Lirisë’ sonte ndizet në Gllogjan
Pas fshatit Likoc, aty ku ishte Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), flakadanët e lirisë do të ndizen edhe në Gllogjan, aty ku ndodhet Kompleksi Memorial i Dëshmorëve të Kombit.
“Zjarri i Lirisë” do të ndizet në nderim të sakrificës dhe në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ish-komandanti i UÇK-së, Daut Haradinaj, ka ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në Gllogjan, në ndezjen e flakadanëve të lirisë.
“Sonte në Gllogjan, nga ora 19:00, do të bashkohemi për ndezjen e flakadanit të lirisë, në kujtim të sakrificës dhe në përkrahje të bashkëluftëtarëve tanë, të cilët i presim më 16 shtator”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Ndryshe, “Zjarri i Lirisë” do të ndizet në shtatë zonat ku ka operuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.



