Ramadani kërkon program nacional për avancimin dhe modernizimin e Policisë së Kosovës
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, me rastin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ka kërkuar hartimin e një programi të veçantë nacional qeverisës për avancimin dhe modernizimin e këtij institucioni.
Ramadani ka vlerësuar se Policia e Kosovës, pas 27 vjetësh nga themelimi, është shndërruar në një institucion kredibil dhe profesional, por ka theksuar se zhvillimi i mëtejmë i saj duhet të vendoset ndër prioritetet kryesore qeverisëse.
“Nuk duhet më asnjë ditë të lihet Policia pa vetura, pa uniforma, pa pajisje teknike, madje pa fotokopje”, ka shkruar Ramadani në “Facebook”.
Sipas tij, programi i ri qeverisës për policinë duhet të përfshijë avancimin dhe modernizimin e njësive të specializuara, me theks të veçantë në sigurinë kibernetike, si dhe fuqizimin e njësive intervenuese dhe atyre për kontrollin e masave.
Ramadani ka kërkuar gjithashtu dyfishimin e pagave të zyrtarëve policorë dhe rritjen e buxhetit për Policinë e Kosovës.



