Rashiqi mohon akuzat e Arben Gashit
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka hedhur poshtë akuzat e deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i cili e ka akuzuar se gjatë takimeve me zyrtarë dhe përfaqësues ndërkombëtarë i ka quajtur shqiptarët “terroristë”.
Pas përfundimit të seancës fillestare ndaj Fatmir Shehollit, ku ka qenë i pranishëm si palë e dëmtuar, Rashiqi ka thënë se akuzat e Gashit janë të pavërteta.
“Unë kam dërguar një kumtesë të premten. Po potencoj, kjo që po thotë Gashi është e pavërtetë. Nuk e di si mund të imagjinoj, apo si është motivi i njeriut të bëjë gënjeshtra kaq banale. Po më intereson kush është dëshmitar. Kjo kurrë nuk ka ndodhur, po pse i ka rënë në mend ta përmendë, nuk e di”, ka deklaruar ai.
Rashiqi ka treguar edhe përfshirjen e tij në rastin e Shehollit.
Ai ka thënë se një numër telefoni me prefiks të Serbisë ka telefonuar pesë ose gjashtë bashkëpunëtorë të tij, duke i kërcënuar se duhet të shkonin në Beograd, përndryshe do të përballeshin me pasoja.
“Më 24 korrik, më kujtohet data e dita, në një moment kur një person me numër telefoni me hyrje të Serbisë ka thirrur pesë ose gjashtë bashkëpunëtorët e mi, duke i frikësuar, sikurse kam biseduar më herët: ‘Hajdeni në Beograd’. Nuk e ka prezantuar veten, por pastaj kemi gjetur emrin e tij dhe u ka thënë se duhet të vini në Beograd të shtunën, nëse nuk vini do të keni pasoja të këqija për juve. Një incizim i tillë është në posedim të gjykatës prej atij momenti. Këtë rast e kam lajmëruar në organet e rendit dhe sigurisë dhe prej atij momenti, unë e di që ato incizime që janë shpallur në atë portal ‘Pa Rrotulla’, kanë qenë të njëjta sikurse ato që janë dërguar nga ky person tek bashkëpunëtorët e mi si kërcënim”, ka deklaruar ai.
Ditë më parë, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka kritikuar ministrin në detyrë për Komunitete dhe Kthim.



