Dollapi në çati dhe historia e një jete në shërbim të lirisë

10 shtator 2026 | 11:55

Nga Musli Krasniqi

Pasi ishte zhvendosur nga Strofci i Vushtrrisë e më pas edhe nga Henci i Fushë-Kosovës, më 1970 familja e Kamber Hajrizit po vendosej përfundimisht në Prishtinë.

Trualli i ri duhej bërë i banueshëm. Përpara familjes shtrihej një tokë që kërkonte punë, mund dhe investime të mëdha. Vite më vonë në njërin skaj të saj, njëri prej djemve të Kamberit, Zeqiri, kishte nisur të hidhte themelet e shtëpisë së re. Nevoja për mbijetesë ia kishte mësuar mirë zanatin e ndërtimtarisë. Kur shtëpia nisi të merrte formë, Zeqiri mendoi edhe për një hapësirë të vogël në çati të saj: një dollap të fshehtë, të padukshëm për syrin e zakonshëm, por edhe për agjenturën e pushtetit. E punoi me mjeshtëri dhe e bëri pjesë të vetë konstruksionit të çatisë.

Por çfarë i duhej dollapi?

Njëzetvjeçari që zgjodhi rrugën e vështirë 

Zeqiri ishte brumosur me traditën familjare të atdhedashurisë. Në vitin 1960, kur ishte vetëm njëzet vjeç, ai u bë pjesë e Komitetit Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, të udhëhequr nga patriotët dhe veprimtarët e shquar Kadri Halimi dhe Ali Aliu.

Organizata, e mbështetur në një program politik e kombëtar që synonte bashkimin e trojeve shqiptare dhe e frymëzuar nga idealet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kishte filluar të shtrinte rrjetin e saj në trojet shqiptare nën pushtimin jugosllav.

Zeqiri ishte përfshirë me vendosmëri në veprimtarinë atdhetare. Ai angazhonte njerëz të rinj në organizatë, kryesisht nga rrethi i Vushtrrisë, si Zenel Hajrizi, tribuni popullor me shumë shokë, por edhe në trevën ku jetonte. Pak nga pak rrjeti zgjerohej.

Në kujtimet e tij, ai e përshkruan kështu hyrjen në këtë rrugë:

“Nga fillimi i vitit 1960 kam hyrë në radhët e organizatës. Në atë kohë isha në Shkollën e Mesme Bujqësore në Lipjan. Ishte kjo një shkollë për të rritur. Na duheshin libra për shkollë dhe, duke marrë libra në bibliotekë, rashë në kontakt me Ramadan Hoxhën, njërin nga veprimtarët e organizatës. Vijuam së bashku veprimtarinë. Shumë shpejt në organizatë aderoi edhe daja im, Banush Ademi, me të cilin shoqërohesha, sepse ishim edhe moshatarë. Ramadani kishte filluar më herët, ne pas tij, dhe shumë të tjerë pas nesh. Ishte një organizatë bukur e madhe. Kishte intelektualë, zejtarë, bujq, punëtorë etj. Me një fjalë, përbëhej nga njerëz prej të gjitha shtresave të popullit dhe të moshave të ndryshme”.

Rruga e tyre, megjithatë, do të ishte e shkurtër.

Në vjeshtën e vitit 1960, Zeqiri dhe Banushi, gjatë një misioni ndërlidhës në Shqipëri, u arrestuan nga forcat jugosllave. Meqë nuk arritën të zbulonin veprimtarinë e tyre, pas dy muajsh burgimi i liruan.

Por lirimi do të zgjaste vetëm pak.

Në fund të janarit të vitit 1961, organizata u zbulua. Arrestimet nisën njëri pas tjetrit. “U arrestuam të gjithë…”, do të kujtonte Zeqiri vite më vonë.

Burgu, tortura dhe Goli Otoku 

Për të filloi një periudhë e gjatë hetuesie, gjykimi dhe burgimi. Anëtarët e organizatës u përballën me tortura çnjerëzore, të cilat Zeqiri do t’i mbante të gdhendura në kujtesë gjatë gjithë jetës.

“Gjatë hetuesisë kemi pasur tortura çnjerëzore, të pashpjegueshme. Na kanë mbajtur nëpër qeli të ftohta, na kanë rrahur në të gjitha format dhe me gjithçka; me shufra, shkelma, grushte, pastaj tortura me ujë, me rrymë… Por tortura ka pasur edhe pas hetimeve e madje edhe pas dënimit”.

Në një nga ato net të errëta të burgut, Zeqiri ishte sëmurë rëndë dhe mezi qëndronte në këmbë.

“Në një rast, ishte vonë, kishim rënë të flemë. Unë isha i sëmurë. Erdhi drejtori i burgut dhe dy policë. Nuk di pse i ishte tekur, na bërtiti: ‘Kush po bën zhurmë këtu?’ I thamë që askush s’po bën zhurmë, ne po flemë. Tha: ‘Ky po bën zhurmë’, duke drejtuar gishtin nga unë. I thanë: ‘Po çfarë zhurme, ky po vdes’. Na mori me zor dhe na çoi në drejtori. Donte të bënte të vetën”.

Një tjetër moment kritik gjatë hetuesisë ishte kur Zeqiri, për të ruajtur shokët dhe organizatën, nuk po nxirrte asnjë fjalë nga goja. I tërbuar nga heshtja e tij, hetuesi i UDB-së, në kulmin e torturës, ia futi duart në gojë, duke tentuar t’ia shqyente.

I mbështetur për muri, me kokën e përgjakur dhe trupin e drobitur nga dhuna, djaloshi mblodhi forcat që i kishin mbetur. Në një çast të papritur, e goditi me shkelm hetuesin dhe e përplasi përtokë.

Ishte një veprim i guximshëm, një shpërthim i fundit i dinjitetit dhe i qëndresës përballë torturës. Por ky akt i tij nuk kaloi pa pasoja. Përkundrazi, në vijim të hetimeve, Zeqiri do ta paguante shtrenjtë guximin për t’i bërë ballë torturuesit.

Pas dënimit, Zeqiri u dërgua në Goli Otok, vendin famëkeq të burgimit dhe punës së detyruar.

“Nga 24 orë në ditë, 8 ishin punë e rëndë, me gur, sepse Goli Otoku është i tëri gurë. Ngriheshim herët, në ora 5 të mëngjesit, shkonim hanim mëngjes, në mënyrë që t’i përballonim punës. Pastaj niseshim në punë. Kishim gjysmë ore rrugë deri në vendin e punës”.

Të burgosurit thyenin gurë, nxirrnin e bartnin copa të rënda deri te makineritë që i përpunonin.

Por edhe kur gurët mjaftonin, puna nuk ndalej.

“Edhe kur kishte gurë të mjaftueshëm, na detyronin të bartnim prej një vendi në tjetrin, thjesht vetëm që të na mundonin. Kur ndonjë të burgosuri i bëhej dora varrë nga bartja e gurëve me lese, i vinin një litar në qafë, derisa edhe qafa i bëhej tërë gjak. Pastaj fillonte bartja me duar sërish”.

Guri i Goli Otokut do të mbetej përjetësisht në kujtesën e tij. Por nuk do të arrinte ta thyente.

Lirimi që nuk ishte fundi i burgut 

Pas katër vjetësh burgimi të rëndë, Zeqiri sërish u lirua. Por nga qelia mori me vete një sëmundje që do ta shoqëronte për gjithë jetën: tuberkulozin, i cili nga mushkëritë më vonë i kaloi edhe në veshkë. Megjithatë, ai nuk u dorëzua. Vitet e burgut nuk ia shuan idealin. Përkundrazi, përvoja e tij do të bëhej burim frymëzimi e udhëzimi për gjeneratat e reja të familjes Hajrizi, të cilat do të vazhdonin rrugën e përpjekjeve për liri.

Vëllai i tij, Mehmeti, dhe nipat, Jahiri e Naseri, do të gjenin te Zeqiri jo vetëm modelin e veprimtarit atdhetar, por edhe përvojën e një njeriu që e kishte njohur nga afër veprimtarinë ilegale. Në vitet që pasuan, traktet dhe gazetat ilegale u bënë ndër mjetet kryesore të përhapjes së ideve për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Por fjala e shkruar, për të mbijetuar, kishte nevojë për strehë. Strehë të fshehtë. Shtëpia e Zeqirit ishte njëra prej tyre. Por jo e vetmja. Afër saj, ishte shtëpia Bahtir Hajrizit, në të cilën më 3 mars 1973 ishte formuar organizata Grupi Revolucionar i Kosovës, më vonë OMLK, të cilën për tetë vjet do ta udhëhiqte më i vogli i vëllezërve, Mehmet Hajrizi.

Pas burgosjes së Mehmetit dhe Jahirit, në fund të vitit 1981, shtëpitë e familjes Hajrizi mbetën strehë për veprimtarët që vazhduan rrugën e nisur. Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha disa herë sollën materiale të shtypit klandestin te Zeqiri, me qëllim që të shpërndaheshin te qytetarët. Shtëpia e Beqir Hajrizit, babait të Naserit, të rënë dëshmor në kryengritjen e vitit 1981, për pozitën që kishte, shfrytëzohej si bazë e sigurt nga heronjtë e ardhshëm, Rexhepi dhe Nuhiu.

Fundi i një jete në shërbim të lirisë 

Zeqir Hajrizi u nda nga jeta më 10 shtator 2012. Më 17 shkurt 2014, Presidenca e Republikës së Kosovës e dekoroi me Urdhrin e Lirisë, për kontributin e tij të lartë për lirinë e Kosovës.

Jeta e tij ishte një rrugëtim i gjatë, i shënuar me sakrificë, burg, sëmundje dhe përndjekje, por mbi të gjitha me këmbënguljen e jashtëzakonshme për të mos e braktisur atë që kishte besuar dhe nisur.

Nga Strofci e Henci te Taslixhja e Prishtinës.

Nga njëzetvjeçari që hyri në ilegalitet te i burgosuri i Goli Otokut.

Nga qelitë e ftohta te shtëpia e ndërtuar me duart e veta.

Nga gurët e rëndë të ishullit të dënimit te një dollap i vogël në çati.

Dhe gjithnjë me të njëjtin besim të palëkundur se një ditë liria do të vinte.

Ideali për të cilin kishte sakrifikuar në rininë e tij do të vazhdonte të jetonte edhe te brezi pasardhës. Kur erdhi koha e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në radhët e saj u rreshtuan i biri, Fadili, nipat Jahiri, Besimi, Bujari, Besniku, bashkë me shumë anëtarë të tjerë të familjes së gjerë Hajrizi.

Kështu, ajo që kishte nisur si një ideal dhe përpjekje e një njëzetvjeçari në vitin 1960, kaloi nga një gjeneratë e brez në tjetrin, nga një shtëpi në tjetrën, nga një dorë në tjetrën.

Deri te liria.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhudistët e Kosovës këtë javë do t’u kthehen garave të…