Funerali shtetëror për Mladiçin, Marta Kos: Serbia duhet të përballet me të kaluarën! Raporti i shtatorit do të peshojë të ardhmen e saj europiane
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar pas funeralit shtetëror të Ratko Mladiç, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte në Bosnjë e Hercegovinë, i mbajtur në Beograd.
Ajo tha se Bashkimi Europian duhet të vendosë nëse Serbia është ende një vend i përshtatshëm për t’u pranuar si kandidate për anëtarësim në BE.
Ajo shtoi se Serbia ndodhet në një udhëkryq, pasi procesi i pranimit kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të vërtetë dhe respektim të sundimit të ligjit. Ajo paralajmëroi se raporti mbi gatishmërinë e Unionit për anëtarë të rinj do të përfundojë deri në fund të shtatorit dhe do të shërbejë si bazë për diskutim në Këshillin e BE-së në tetor.
Komisionerja theksoi se është e gatshme të bëjë gjithçka për ta mbajtur Serbinë në rrugën europiane, por kjo varet edhe nga popullsia dhe zgjedhjet e ardhshme në vend.
Ajo anuloi vizitën në Beograd për shkak të funeralit të Mladiçit, duke thënë se nuk mund të shikonte më në sy nënat e Srebrenicës nëse do të merrte pjesë në një situatë ku lavdërohej një kriminel lufte.
Kos nënvizoi se përballja me të kaluarën është një nga sfidat më të mëdha të Ballkanit Perëndimor dhe se elitat politike duhet të shërojnë plagët e së kaluarës, jo t’i thellojnë ato.
Duke folur për zgjerimin e BE-së, ajo tha se Unionit i është dashur të braktisë qasjen “gjithçka ose asgjë” dhe të zbatojë integrimin gradual, duke ofruar përfitime të pjesshme për vendet kandidate në sektorë strategjikë si energjia, transporti dhe lëndët e para kritike.
Kos përmendi shembullin e Moldavisë dhe Ukrainës, të cilat po ndihmohen të bëhen të pavarura energjetikisht nga Rusia deri në vitin 2027.
Ajo shtoi se BE-ja duhet të nxjerrë mësime nga bllokimi i vendimmarrjes nga Hungaria dhe të përfshijë klauzola mbrojtëse në traktatet e ardhshme të pranimit, për të garantuar respektimin e rregullave dhe vlerave.
Një dokument mbi ndikimin e zgjerimit pritet të prezantohet në fund të shtatorit, ndërsa zgjedhjet e ardhshme në Europë do të ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet për zgjerimin.
Kos paralajmëroi se suksesi i euroskeptikëve mund ta vështirësojë procesin, por një Evropë më e fortë do të thotë mbrojtje më e mirë e interesave të qytetarëve dhe një mundësi për të reflektuar mbi vetë Unionin.



