Kurti: Kosova qëndron dhe gjithmonë do të qëndrojë me Amerikën
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Kosova qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, teksa ka përkujtuar 25-vjetorin e sulmeve të 11 Shtatorit, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se sulmet e 11 Shtatorit 2001 ishin ndër goditjet më të rënda ndaj vlerave demokratike, duke theksuar se numri i viktimave është edhe më i lartë se personat që humbën jetën atë ditë.
“Sot jemi mbledhur këtu për të shënuar 25-vjetorin e atyre sulmeve. Para një çerek shekulli, katër avionë ishin shndërruar në armë të shkatërrimit masiv, me pasoja të tmerrshme. 2,977 ishte numri i të vrarëve atë ditë. Por numri i viktimave është edhe më i lartë. Sipas studiuesve, mbi 5,000 persona kanë vdekur nga sëmundjet dhe komplikimet e 11 Shtatorit. Dhe mijëra e mijëra të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga këto pasoja”, tha ai.
Kurti e cilësoi 11 Shtatorin si sulmin më vdekjeprurës në historinë e SHBA-së dhe tha se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë në krah të saj, duke e lidhur këtë me përkushtimin ndaj lirisë dhe demokracisë.
“Para 25 vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pësuan sulmin më vdekjeprurës në historinë e tyre. Dhe bota pësoi një ndër goditjet më të rënda ndaj vlerave demokratike. Kosova qëndron përkrah SHBA-së, jo vetëm sepse SHBA-ja kurrë nuk e ka braktisur Kosovën. Ne qëndrojmë dhe gjithmonë do të qëndrojmë me Amerikën, për shkak të përkushtimit tonë ndaj lirisë dhe demokracisë dhe vendosmërisë sonë për t’i mbrojtur këto vlera”, tha ai.



