Elda, Asdreni e Elbioni, tre yje që po shkëlqejnë e po na bëjnë krenarë me sukseset e tyre në ShBA

11 shtator 2026 | 12:45

Shkruam: Fatmir Krasniqi, mësimdhënës i pensionuar
Shkolla “Elena Gjika” në Prishtinë është njëra ndër shkollat më të vjetra të kryeqytetit, por edhe njëra ndër shkollat më të mira në trojet shqiptare. Që nga vitet e hershme e të vështira të veprimtarisë së saj e deri më sot, ajo është shquar për nxënës të suksesshëm dhe mësimdhënës të dalluar.
Nga kjo vatër e dijes kanë dalë breza të tërë nxënësish, të cilët sot janë aktivë në të gjitha fushat e jetës: shkencëtarë, mjekë, ortopedë, kirurgë, stomatologë, inxhinierë, arkitektë, aktorë, regjisorë, artistë, muzikantë, kompozitorë, juristë, ekonomistë, këngëtarë e sportistë të shquar.
Sikur prindi që i gëzohet suksesit të fëmijës së vet, ashtu edhe mësimdhënësi u gëzohet sukseseve të nxënësve të tij.
Përjetova një gëzim dhe emocion të papërshkrueshëm kur Elda, Asdreni e Elbioni ndanë me mua lajmin e diplomimit të tyre, pothuajse në të njëjtën kohë, në fund të muajit maj të këtij viti. Atë çast nuk do ta harroj kurrë.
Së bashku me arsimtarin Florim, të emocionuar e krenarë, e festuam suksesin e tyre me nga një kafe e ujë mineral në “Margo”, në sheshin “Nënë Tereza”.
I urova përzemërsisht për diplomimin dhe sukseset e arritura në universitetet e njohura të SHBA-së.
U kërkova që secili të ndante sukseset, veprimtaritë jashtëmësimore dhe përvojat e veta, nga shkolla fillore e ajo e mesme deri te studimet në Amerikë.
Përgjigjet e tyre, të dërguara me kujdes, përpikëri e çiltërsi, po i përmbledh në “Epokën e Re”, e cila, si gjithnjë, i publikon me kënaqësi sukseset dhe të arriturat e nxënësve e studentëve të dalluar.
Elda, Asdreni e Elbioni ishin nxënës shembullorë dhe të shkëlqyeshëm në mësime. Dalloheshin në veprimtaritë jashtëmësimore, brenda dhe jashtë shkollës, si dhe për idetë, pikëpamjet dhe mendimin e lirë e kritik që shprehnin që në atë moshë.
Ishin largpamës në synimet për shkollimin dhe të ardhmen e tyre.
Dëshira e tyre e sinqertë është të kthehen në Kosovë dhe të kontribuojnë me përvojën e tyre profesionale.
Brezi i tyre, në Kosovë dhe jashtë saj, është shpresë për ndryshim.
Me Elbionin biseduam edhe për rezultatet shumë të dobëta të testit PISA 2025, të cilat u shpallën këto ditë.
Këto rezultate janë shumë shqetësuese.
Që nga viti 2000 është eksperimentuar dhe vazhdon të eksperimentohet me arsimin në gjuhën shqipe në Kosovë, duke zbatuar modele të ndryshme, por, për fat të keq, pa suksesin e dëshiruar.
Arsimi duhet të shpallet prioritet kombëtar.
Siç thoshte Hasan Prishtina: “Arsimi është shpirti i kombit.”

Elda Osmani

Që nga klasa e gjashtë e kisha synim të studioja në Amerikë. Për këtë arsye, ndoqa kursin e gjuhës angleze për shtatë vjet radhazi. Në klasën e dymbëdhjetë aplikova dhe u pranova në Universitetin Bradley, në Peoria të Illinoisit, në drejtimin e dizajnit të lojërave kompjuterike. Ndryshimi i mjedisit dhe i rrethit shoqëror ishte i madh. Semestri i parë ishte i vështirë derisa u përshtata, por më pas kjo u bë një nga përvojat më të mira të jetës sime. Gjatë studimeve u përfshiva në aktivitete brenda dhe jashtë programit mësimor, nga projektet në grup deri te marrja e rolit të kryetares së organizatës universitare të sporteve elektronike. Gjithashtu, gjatë verës së vitit 2024 pata mundësinë të kryeja praktikë në kompaninë e lojërave Undead Labs.
Nga shkollimi nëntëvjeçar dhe i mesëm kujtoj angazhimin në aktivitete jashtëshkollore, të organizuara herë nga shkollat e herë nga organizata të tjera. Të gjitha ishin përvoja të paharrueshme.
Mendoj se, kudo që të shkosh, pjesëmarrja në aktivitete jashtë programit mësimor të ndihmon të dallohesh dhe të mësosh më shumë, pa i lënë pas dore mësimet. Dalja nga zona e rehatisë, njohja e botës dhe takimet me njerëz që kanë histori të jashtëzakonshme të ndihmojnë të ecësh përpara. Kam dëgjuar për shumë organizata të reja të krijuara pasi përfundova shkollimin në Kosovë. Gjatë viteve të mia shkollore do të dëshiroja të kisha pasur më shumë mundësi për të eksploruar fusha përtej lëndëve kryesore dhe për t’u përfshirë në aktivitete të ndryshme, të organizuara nga shkolla ose në bashkëpunim me organizata të tjera. Duke eksploruar përtej lëndëve dhe aktiviteteve tradicionale, fitojmë më shumë mundësi dhe aftësi për të ardhmen.
Rekomandim për nxënësit
Për të mirën e nxënësve, do të rekomandoja nxitjen e punës në grup në klasë dhe hapjen e klubeve të ndryshme, ku ata mund të fitojnë njohuri për tema e fusha përtej programit të rregullt mësimor.
Falënderim për kujdestarin
Faleminderit shumë, kujdestar, për gjithçka që ke bërë për ne, që nga shkolla fillore e deri më sot! Je një nga mësimdhënësit më të mirë të Kosovës. Lum ne që të patëm kujdestar!

Asdren Nimoni

Unë jam Asdren Nimoni, kam lindur në New York, Amerikë, por disa muaj pas lindjes u ktheva me nënën në Prishtinë, ku jam rritur. Shkollën fillore dhe atë të mesme të ulët e kam kryer në shkollën “Elena Gjika”. Ato nëntë vite që kalova në shkollën Elena Gjika, mund të them pa hezitim, ishin vitet më të rëndësishme për mua. Ato vite më formësuan karakterin dhe personalitetin, dhe më mundësuan që të bëhem personi që jam tani. Unë mendoj se shkolla Elena Gjika është ndër shkollat më të mira fillore që i kemi ne. Duke filluar nga rojtarët dhe mirëmbajtësit, e deri te arsimtarët dhe drejtori, i gjithë stafi i shkollës vazhdimisht ka krijuar një atmosferë shumë mikpritëse dhe produktive për nxënësit. Por, do të doja t’i falënderoja tre persona në veçanti: arsimtarin tim të gjuhës shqipe Fatmir Krasniqi, kujdestarin tim Florim Gashi, dhe mësuesen Eranda Syla-Sylejmani. Të tre këta mësues dhe arsimtarë, në mënyra të ndryshme, kanë pasur një ndikim shumë të madh tek unë. Veçanërisht arsimtari Fatmir, i cili jo vetëm gjatë mësimdhënies së tij, por edhe pas pensionimit, vazhdon të më motivojë, inkurajojë dhe mbështesë gjatë rrugëtimit tim.
Sa i përket shkollës së mesme, atë e përfundova në “Prishtina High School”. Kjo është një shkollë private, e cila ndjek sistemin e mësimit amerikan në gjuhën angleze. Është një shkollë e vogël, ku gjenerata ime kishte vetëm rreth 40 vetë. Në aspektin akademik, mund të them se më ka përgatitur tejet mirë, sidomos për sistemin e mësimit amerikan dhe gjuhën angleze. Mirëpo në anën emocionale, personalisht mendoj se shkolla Elena Gjika ka krijuar një mjedis shumë më të përshtatshëm për formësimin e personaliteteve të fëmijëve dhe për të rrënjosur integritet dhe dashuri te nxënësit e saj. Megjithatë, i falënderoj shkollën dhe arsimtarët të Prishtina High School që kanë shërbyer si një urë shumë e fortë që më ka mundësuar vijimin e studimeve në Amerikë.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, në moshën 17-vjeçare, unë u shpërngula në Amerikë për studime. Zgjodha të studioja shkenca kompjuterike dhe matematikë në universitetin “Pennsylvania State University”. Ky universitet ndodhet në qendër të Pensilvanisë, një vend ku nuk njihja askënd. Java e parë ishte e vështirë. Ishte një ndryshim shumë drastik nga jeta ime e përditshme në Prishtinë, pa prindër, pa shoqëri. Po ashtu, diçka që nuk e kam pritur është sa shumë më mungonte të flisja dhe ta dëgjoja gjuhën shqipe. Megjithatë, kisha pritshmëri të larta për universitetin dhe Amerikën në përgjithësi. Sado që më mungonte jeta në Prishtinë, po ashtu isha shumë i lumtur që kisha mundësinë të shkoja në një vend tjetër dhe të njihja kultura të tjera dhe të shoqërohesha me njerëz nga e gjithë bota. Pas katër vitesh studime, përfundova fakultetin me nota shumë të mira, duke marrë disa herë “Dean’s List Award”. Do të jem gjithmonë mirënjohës që m’u ka ofruar kjo mundësi dhe për të gjithë personat që më kanë ofruar ndihmë dhe mbështetje gjatë këtij rrugëtimi.
Sa i përket përvojës sime të shkollimit në Kosovë, kam një sugjerim kryesor. Sa herë i përkujtoj nëntë vitet që kam kaluar në shkollën “Elena Gjika”, kujtimet e mia më të mira i kam nga aktivitetet shkollore që janë organizuar jashtë shkollës. Nga vizitat në kuvend dhe në panairin e librit deri tek ekskursionet në Brezovicë, këto aktivitete më kanë mbushur me kujtimet më të mira të fëmijërisë. Jo vetëm sepse kanë qenë argëtuese, por sepse na kanë mundësuar ne, nxënësve, që të krijojmë lidhje shoqërore shumë më të forta dhe domethënëse, jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me mësuesit dhe arsimtarët. Unë kam pasur fatin që të jem nxënës i arsimtarit Fatmir Krasniqi, i cili vazhdimisht, pothuajse çdo muaj, ka marrë përsipër të organizojë aktivitete jashtë shkollës. Mirëpo, shumë nxënësve të tjerë, që nuk e kanë pasur këtë fat, u kanë munguar këto aktivitete dhe mundësi, sepse Ministria e Arsimit dhe shumica e drejtorive të shkollave nuk u kushtojnë rëndësi të mjaftueshme këto aktivitete. Unë mendoj se ky është një gabim shumë i madh, dhe i lus të gjithë mësimdhënësit që të bëjnë çmos për t’ua mundësuar këto aktivitete nxënësve të tyre.

Elbion Redenica

Rrugëtimi akademik dhe profesional
1. 2018 — Prishtinë dhe Tiranë. Gjatë shkollimit në “Elena Gjika”, zhvillova aplikacionin Scanderbeg bashkë me Melos Kuqin, me përkrahjen e plotë të prof. Fatmir Krasniqit. Aplikacionin e prezantuam në Tiranë.
2. 2019–2022 — Gjimnazi “Xhevdet Doda”.
3. 2019–2021 — Projekte për komunitetin. Kontribuova në zhvillimin e CWB (aplikacion mobil për të ndihmuar komunikimin me persona të shurdhër), me përkrahjen e UNICEF Innovations Lab Kosovo; po ashtu kontribuova në zhvillimin e K’qyr e Dil (sistem i integruar për të ulur rrezikun e shpërndarjes së COVID-19).
4. 2022 — San Francisco, SHBA. Fillova studimet me bursë në Minerva University.
5. Verë 2023 — Universiteti Yale, SHBA. Punova si ligjërues në programin Yale Young Global Scholars, me nxënës nga vende të ndryshme të botës.
6. Vjeshtë 2023 — Seul, Kore e Jugut. Vazhdova studimet universitare në kuadër të Minerva-s në Seul.
7. Vjeshtë 2024 – pranverë 2025 — Buenos Aires, Argjentinë. Kalova vitin e tretë të studimeve në Buenos Aires dhe fillova punën edhe si inxhinier softueri në 91Life.
8. Verë 2025 — Boston, SHBA. Përfundova një praktikë në inxhinierinë e inteligjencës artificiale në Chewy (Chewy është kompani e madhe publike në SHBA).
9. Vjeshtë 2025 — Taipei, Tajvan. Fillova vitin e fundit të studimeve në Taipei dhe iu bashkova Rhythmic, Inc., duke punuar në aplikacionin Bonsai (aplikacion mobil për kujdesin ndaj shëndetit mendor).
10. Pranverë 2026 — San Francisco, SHBA. U ktheva për semestrin e fundit dhe përfundova SimChess, temën time të diplomës (SimChess është një variant alternativ dhe i një lloji krejtësisht të ri të lojës së shahut).
11. 26 maj 2026 — Diplomimi. Diplomova në Minerva University, në drejtimin e shkencave kompjuterike, me përqendrim në mësimin makinerik dhe statistikë.
12. Pas diplomimit — San Francisco. Vazhdoj angazhimin si inxhinier i softuerit, si dhe zhvillimin e projekteve të pavarura në inteligjencë artificiale.
Aplikacioni për Skënderbeun
Në vitin 2018, atëherë në klasën e tetë në shkollën “Elena Gjika”, kujdestari i klasës Fatmir Krasniqi na dha një detyrë për të shkruar një ese për 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Unë dhe shoku i klasës Melos Kuqi i kërkuam të na jepte fundjavën që të përgatitnim diçka ndryshe. Në vend të një eseje të zakonshme, vendosëm të zhvillonim një aplikacion mobil.
Kështu lindi aplikacioni “Scanderbeg”. Ideja ishte që historia të bëhej më e qasshme dhe më interesante përmes teknologjisë. Në aplikacion përfshimë informacione për jetën e Skënderbeut, betejat, veprat dhe të bëmat e tij. Për ta përgatitur, kërkuam edhe materiale në Arkivin e Kosovës.
Arsimtari Fatmir e përkrahu dhe e promovoi shumë projektin. Në kuadër të aktiviteteve për Skënderbeun udhëtuam në Tiranë, ku e prezantuam aplikacionin në Qendrën për Hapje dhe Dialog, në ambientet e Kryeministrisë së Shqipërisë. Gjatë atij qëndrimi vizituam edhe Krujën dhe Lezhën, përfshirë kalanë dhe varrin e Skënderbeut. Pas këtij prezantimi patëm interesim edhe nga mediat shqiptare.
Më 14 qershor 2018 u ftuam drejtpërdrejt në emisionin e mëngjesit të TVSH-së, “Mirëmëngjesi Shqipëri”. Ishte një përvojë e veçantë, sepse na dha mundësinë ta prezantonim punën tonë para një publiku shumë më të gjerë.
Ekskursione dhe shëtitje
Ekskursionet dhe shëtitjet e klasës na jepnin mundësinë të mësonim përmes përvojës, ta shihnim nga afër një vend, monument ose ngjarje historike, në vend që vetëm ta lexonim në libra. Kishim vizita rekreative, por edhe vizita me karakter edukativ në Kosovë dhe Shqipëri.
Arsimtari Fatmir ishte nismëtari dhe shtytësi kryesor i këtyre aktiviteteve. Ai e kuptonte se nxënësit mësojnë më mirë kur përfshihen drejtpërdrejt, kur udhëtojnë, bëjnë pyetje dhe e lidhin mësimin me botën reale. Këto udhëtime, përveçse na krijuan kujtime të mira, na zgjeruan njohuritë për historinë, kulturën dhe vendet tona.
Vizita në shtëpinë-muze të Ernesto Sábatos
Gjatë kohës që jetoja dhe studioja në Argjentinë, vizitova “Casa Museo Ernesto Sábato” në Santos Lugares, qytezë afër Buenos Airesit. Ernesto Sábato ishte shkrimtar, piktor dhe fizikant argjentinas. Nëna e tij vinte nga një familje arbëreshe në Kalabri, prandaj origjina e tij kishte edhe një lidhje shqiptare.
Shtëpia ishte vendi ku Sábato jetoi për shumë dekada dhe ku shkroi pjesën më të madhe të veprës së tij. Vizita udhëhiqej nga njëri prej nipërve të tij dhe u zhvillua në spanjisht. Pashë shtëpinë, bibliotekën, hapësirat ku punonte dhe kopshtin, ndërsa gjatë turit u treguan histori për jetën, shkrimet dhe familjen e tij. Përvoja ishte e veçantë sepse vizitova një muze jo aq të zakonshëm: një shtëpi të ruajtur siç kishte qenë, që e bënte figurën e shkrimtarit shumë më njerëzore dhe të afërt.
Për rezultatet e PISA-s
Për shkak të kohës dhe hapësirës, po e paraqes shkurtimisht mendimin tim.
Rezultatet e PISA-s janë shqetësuese, por problemi nuk ka një zgjidhje apo formulë të vetme. Është një çështje që ndikohet nga shumë faktorë dhe secili duhet ta marrë më seriozisht rolin e vet. Institucionet duhet të krijojnë kushte më të mira dhe nisma me synime të qarta. Shkollat dhe mësimdhënësit duhet të përqendrohen më shumë në kuptimin dhe zbatimin praktik të dijes, ndërsa prindërit duhet të kalojnë më shumë kohë me fëmijët dhe t’i mbështesin në të nxënë.
Më konkretisht, një notë në ditar apo në një test duhet të tregojë përparimin e nxënësit dhe atë që ai duhet të përmirësojë, jo të jetë thjesht një numër që synohet të rritet. Nota më e lartë nuk duhet të bëhet qëllim në vetvete. Më e rëndësishme është të mësojmë, të përpiqemi dhe të kuptojmë ku kemi nevojë për ndihmë. Përmirësimi i rezultateve kërkon punë të përbashkët dhe afatgjatë nga të gjithë. Rezultate më të mira në PISA nuk do të arrijmë duke mbushur librezat me nota pesë të pamerituara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se partia…