‘Politikë mashtruese’, Ismaili: Ne votuam Golën për nënkryetar, LV-ja nuk e votoi Çitakun

11 shtator 2026 | 13:16

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LV) për, siç ka thënë, “politikë mashtruese”, pas mosvotimit të Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit.

Ismaili ka bërë me dije se deputetët e PDK-së kanë votuar kandidatin e LV-së, Ardian Gola, për nënkryetar, ndërsa deputetët e LV-së nuk e kanë votuar kandidaten e PDK-së, Vlora Çitaku.

Përmes një postimi në “Facebook”, Ismaili ka thënë se kjo, sipas tij, dëshmon për “parimet” e LV-së.

“POLITIKË MASHTRUESE! Për hir të konstituimit të Kuvendit, sot votuam kandidatin e LVV-së, Ardian Gola, për nënkryetar. Por, kur erdhi radha të votohej kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, LV-ja abstenoi dhe e bllokoi konstituimin e Kuvendit”, ka shkruar Ismaili.

Ai ka kritikuar më tej deklaratat dhe qëndrimet e LV-së, duke e akuzuar për, siç ka thënë, “politikë mashtruese dhe hipokrite”.

“Kaq për deklaratat dhe parimet e tyre. Një politikë mashtruese, hipokrite dhe në kundërshtim të plotë me gjithçka që kanë proklamuar deri më sot për konstituimin e Kuvendit”, ka shkruar ai.

Ismaili ka akuzuar kryetarin e LV-së, Albin Kurti, se përmes kësaj mënyre të veprimit politik po e mban Kosovën në krizë.

“Prej dy vitesh, Kosova po mbahet në krizë pikërisht nga kjo mënyrë e të bërit politikë e Albin Kurtit: një gjë deklarohet para qytetarëve, ndërsa krejt e kundërta veprohet në Kuvend. Interesi i shtetit sakrifikohet vazhdimisht për llogari të interesave të tij politike”, ka shkruar Ismaili.

Ardian Gola ishte propozuar nga LV-ja për postin e nënkryetarit të Kuvendit, ndërsa PDK-ja kishte propozuar Vlora Çitakun për këtë pozitë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, është…