Në të gjitha xhamitë e Kosovës bëhet thirrje për pjesëmarrje në marshin e 12 shtatorit
Në të gjitha xhamitë e Kosovës, gjatë hytbes së xhumasë, besimtarëve u është bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po mbahen në Hagë.
Me rekomandim të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiut Naim Tërnava, gjatë hytbes së xhumasë është përcjellë mesazhi për pjesëmarrje në marshin e organizuar në shenjë solidariteti dhe përkrahjeje për ish-krerët dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Myftiu Tërnava ka shprehur përkrahjen e tij për këtë nismë, duke e cilësuar marshin si një tubim qytetar në mbështetje të vlerave të lirisë, drejtësisë dhe dinjitetit.
“Ky është një tubim qytetar në mbështetje të lirisë, drejtësisë, dinjitetit dhe kujtesës sonë kombëtare, si dhe në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së. Le të jemi të bashkuar, të qetë dhe dinjitozë. Le ta dëshmojmë se nuk harrojmë sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës dhe se kërkesa jonë është drejtësia dhe trajtimi i drejtë”, është thënë në mesazhin e përcjellë gjatë hytbes.
Marshi do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, ndërsa organizatorët e kanë paraqitur atë si aktivitet solidarizimi me ish-krerët dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Ditë më parë, myftiu Tërnava kishte pritur në takim përfaqësuesit e organizatës “Liria ka emër”, të kryesuar nga Eliza Hoxha. Gjatë këtij takimi, ai kishte shprehur përkrahjen e tij për organizimin e marshit të 12 shtatorit.



