Suedia nesër voton: Aida e Arbëri presin fitore të sigurt
Shkruan: Astrit Gashi
Suedia zgjohet nesër përpara një prej momenteve më përcaktuese të historisë së saj bashkëkohore politike.
Fushata e këtij cikli çuditërisht më e qeta në dy dekadat e fundit nuk duhet t’ju mashtrojë sepse heshtja politike erdhi kryesisht për faktin se ata që historikisht nxisnin trazira e tensione, këtë herë e dirigjonin skenën nga pozitat e pushtetit
Përtej ekuilibrave ditorë, nëse ka një konstantë që vazhdon të sfidojë ligjet e gravitetit politik në Evropë, ajo është Partia Socialdemokrate (S). Të mos humbasësh asnjë zgjedhje që nga viti i largët 1921 është dëshmia më e qartë se si kjo forcë është e ndërthurur me vetë indin e shtetit suedez të mirëqenies.
Në këtë kuadër shpërfaqet edhe paradoksi i Magdalena Andersson. Me një projeksion personal që e vendos te 30.7%, e majta nuk po rimerr terren thjesht prej ndonjë formule revolucionare, por sepse votuesi suedez, përballë trazirave globale, kërkon strehë te stabiliteti i traditës.
Dështimi i koalicionit të djathtë të Ulf Kristersson për të përmbushur premtimet mbi sigurinë dhe ekonominë po e kthen bllokun Rödgröna drejt pushtetit.
Prapavija e këtij rrotullimi është agonia e të djathtës tradicionale. Partia Moderata (M), e cila rrezikon të zbresë në kuotën kritike të 16.0%, po paguan çmimin e lartë të flirtit me ekstremin e djathtë dhe shndërrimit në peng të populizmit.
Por skenari më dramatik po luhet te Liberalët (L). Të mbetur gjatë nën pragun e 4%, përpjekjet e instituteve për t’i nxjerrë mbi ujë ngjajnë me një mirazh. Nëse Liberalët mbeten te 3.6% dhe jashtë parlamentit, kjo varros përfundimisht çdo shpresë të të djathtës për të qeverisur.
Për komunitetin shqiptar, syri i stuhisë zgjedhore është ndalur në rajonin e Hallandit. Prania e Aida Birinxhilut dhe Arbër Gashit reflekton pjekurinë dhe integrimin e plotë të shqiptarëve në elitën politike suedeze, ku të dy kandidatët presin një fitore të sigurt për të përfaqësuar në Parlametitin Suedez
.
Më 6 nga 8 parti parlamentare të drejtuara nga gra, ky cikël solli një retorikë më pak toksike, por dilema ideologjike mbetet brutale. Suedia nesër zgjedh mes rikthimit te modeli i mbrojtjes sociale dhe vazhdimit të eksperimentit të së djathtës së mbështetur te sovranistët e SD-së (17.7%). Në mbyllje të kësaj garash, Socialdemokratët janë gati të marrin sërish frenat sepse kur kërkon siguri, suedezi mesatar historikisht e kërkon atë në gjuhën e Socialdemokracisë.



