Gjenerali Hisen Berisha: Nga lufta për liri te marshimi për drejtësi
Ish-deputeti i PDK-së dhe gjenerali i luftës, Hisen Berisha, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në “Marshin për Liri”, i cili mbahet sot në Prishtinë, i organizuar nga platforma “Liria ka emër”.
Berisha ka thënë se marshimi nuk është vetëm një mbështetje për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, por edhe një aktivitet për të kujtuar sakrificën e popullit të Kosovës dhe luftën e UÇK-së.
Sipas tij, më 16 shtator pritet vendimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe të tjerëve që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Berisha ka theksuar se marshimi duhet të zhvillohet me dinjitet dhe me besimin se drejtësia duhet të bazohet në prova, ligj dhe standarde të drejtësisë, e jo në presione politike.
“Ne jemi për paqen, por paqja nuk është amnezi. Ne jemi për drejtësinë, por drejtësia nuk është hakmarrje. Ne jemi për dialogun, por dialogu nuk mund të ndërtohet duke fshirë viktimat dhe të vërtetën”, ka shkruar Berisha.
Ai ka theksuar se historia e Kosovës është ndërtuar përmes sakrificës së popullit, luftës së UÇK-së, aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe botën demokratike, si dhe shpalljes së Pavarësisë.
“Pa drejtësi nuk ka pajtim. Pa të vërtetën nuk ka drejtësi”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët të marshojnë për “Liri, Paqe dhe Drejtësi”, duke e përshkruar këtë si një vazhdim simbolik të rrugëtimit nga lufta për liri drejt kërkesës për drejtësi.
“Dikur marshuam nga vijat e frontit të luftës për liri, drejt Kosovës së lirë. Sot marshojmë përsëri. Jo për hakmarrje, jo kundër drejtësisë, por për një drejtësi që respekton provat, ligjin dhe të vërtetën”, ka shkruar ai.



