Qëndrimi ndaj Kosovës dhe temat e tjera, Martens: Programi i Lëvizjes Studentore në Serbi është i tmerrshëm

28 tetor 2026 | 11:41

Gazetari i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, ka publikuar një analizë për programin e politikës së jashtme të Lëvizjes Studentore në Serbi, duke vlerësuar se qëndrimet e saj ndaj Kosovës, Rusisë dhe rajonit përputhen me nacionalizmin serb të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Partisë Progresive Serbe.

Në një seri prej tetë postimesh në rrjetin social “X”, Martens ka shkruar se, ndonëse zgjedhjet parlamentare në Serbi janë përcaktuar kryesisht nga çështjet e brendshme, politika e jashtme do të jetë një sfidë e rëndësishme për qeverinë e re.

Sipas tij, programi i Lëvizjes Studentore përfaqëson një dokument të nacionalizmit dhe prapambetjes politike serbe, ndërsa zbatimi i tij do të nxiste pashmangshëm konflikte në rajon.

Martens ka theksuar se Lëvizja Studentore jo vetëm që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por duket se nuk është e gatshme ta pranojë as shtetësinë e saj si realitet.

Ai ka kujtuar se mosnjohja e Kosovës është e përfshirë në preambulën e Kushtetutës së Serbisë, por ka vlerësuar se programi i studentëve shkon përtej këtij qëndrimi, duke krijuar përshtypjen se Beogradi mund të veprojë sipas dëshirës në të gjithë territorin e Kosovës.

“Programi thotë se Serbia do të ‘luftojë për Kosovën’, në mënyrë që ajo të mbetet pjesë e Serbisë, por nuk e sqaron se si do të zhvillohet kjo ‘luftë’”, ka shkruar Martens.

Ai ka vënë në dukje se në program Kosova cilësohet si “e ashtuquajtura Republika e Kosovës”, formulim që, sipas tij, është përdorur edhe nga Vuçiqi dhe partia e tij.

Gazetari gjerman ka vënë në pah edhe qëndrimin e Lëvizjes Studentore ndaj marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritura në vitin 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

“Lëvizja, siç duket, dëshiron të kthejë mbrapsht edhe atë që është arritur tashmë. Duke iu referuar qeverisë së mëparshme dhe marrëveshjes Serbi–Kosovë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të arritur në vitin 2023 nën ndërmjetësimin e BE-së, në program thuhet: ‘Ne do t’i ndjekim penalisht të gjithë përfaqësuesit përgjegjës të regjimit për çdo vepër që lidhet me lidhjen dhe zbatimin e marrëveshjeve jokushtetuese, të cilat janë në dëm të Serbisë’”, ka shkruar Martens.

Martens ka theksuar se programi nuk i njeh institucionet e Kosovës si qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike, por i përshkruan ato si “institucione të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë”.

Ai ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për përshkrimin si të përkohshëm të Universitetit të Serbisë në Mitrovicën e Veriut, duke pyetur nëse Lëvizja Studentore synon ta zhvendosë atë në Prishtinë pa konsultime me institucionet e Kosovës.

Në analizën e tij, Martens ka theksuar se Lëvizja Studentore synon të mbështetet në “partneritetin tradicional” me Rusinë për zgjidhjen e çështjeve të hapura që konsiderohen me interes të përbashkët.

Sipas tij, programi kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës dhe parasheh ruajtjen e qëndrimit të Serbisë për të mos vendosur masa kufizuese ndaj Federatës Ruse.

Njëkohësisht, Lëvizja Studentore synon zgjerimin e partneritetit strategjik me Kinën, veçanërisht në fushat e ekonomisë, infrastrukturës dhe investimeve në teknologji të lartë.

Martens ka vënë në dukje gjithashtu se studentët kanë marrë pjesë në tubime nacionaliste në përvjetorin e Betejës së Kosovës të vitit 1389, por kanë heshtur në përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, të kryer nga forcat serbe në vitin 1995.

Sipas tij, këto qëndrime tregojnë se kjo gjeneratë ka përvetësuar më shumë nga atmosfera nacionaliste e krijuar gjatë 12 viteve të pushtetit të Vuçiqit sesa mund ta kuptojë vetë.

Në përfundim, Martens ka theksuar se një program zgjedhor nuk nënkupton domosdoshmërisht se të gjitha premtimet e tij do të zbatohen, duke lënë të hapur mundësinë që Lëvizja Studentore të bëhet më pragmatike pasi të vijë në pushtet.

Megjithatë, ai ka paralajmëruar se, nëse programi zbatohet në praktikë, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe shumica boshnjake në Bosnjë e Hercegovinë mund të bashkohen në një formë bashkëpunimi kundër Serbisë.

“Rezultati nuk do të ishte çlirimi i Serbisë, por izolimi i saj”, ka shkruar gazetari gjerman.

Ai ka theksuar se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës është zgjedhje e Serbisë, por përpjekja për të rikthyer kontrollin serb mbi Kosovën do të kërkonte luftë.

“Por, për ta rikthyer kontrollin serb mbi Kosovën, serbët do të duhej të shkonin në luftë. Dhe këtë luftë, me siguri do ta humbnin. Përsëri”, ka përfunduar Martens.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
E njohur për format e saj trupore dhe paraqitja e…