“Liria ka Emër”: Çlirimtarët që presim në tokën e tyre, sot i shpallim të pafajshëm

12 shtator 2026 | 14:22

Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, në fjalimet e tyre gjatë “Marshit për Liri” në Prishtinë, kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në çlirimin e vendit, raporton Ekonomia Online.

Ismail Tasholli ka thënë se liria e Kosovës ka emër dhe se çlirimtarët, të cilët ndodhen në Hagë, duhet të kthehen në vendin e tyre. Ai ka deklaruar se pjesëmarrësit e marshit, në mënyrë simbolike, i shpallin të pafajshëm.

“Ne e kemi lirinë dhe ajo liri ka emër, e kemi ushtrinë çlirimtare të Kosovës, kërkush s’na i ka falë, e kërkush s’mundet me na i marrë. Edhe një pyetje: e kush kthehet i fundit nga beteja? Të gjithë e dini, çlirimtarët që i presim në tokën e tyre. Prandaj, të gjithë bashkë këtu, një zëri në mënyrë edhe simbolike, i shpallim të pafajshëm”, tha ai.

Ndërkaq, Eliza Hoxha ka thënë se qytetarët po marshojnë për lirinë e atyre që, sipas saj, e sollën lirinë e Kosovës, duke e cilësuar UÇK-në si faktor që i bashkon shqiptarët e Kosovës.

“Sot 27 vjet më vonë populli i Kosovës sot marshon për liri, marshon për liri në liri. Marshon për lirinë e atyre që e sollën lirinë tonë, marshon për lirinë e çlirimtarëve të vet. Sot marshojmë për ata që u ngritën në ditët më të vështira për ne, për ata që ëndërruan, dhe guxuan më shumë se shumica prej nesh. Për të vërtetën e historisë së Kosovës dhe për të vërtetën e një populli për të qenë i lirë. Sot marshojmë me UÇK-në për UÇK-në, sepse UÇK-na bashkon. Na ka bashkuar dikur, na bashkon edhe sot, na bashkon përjetë e mot”, tha ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në “Marshin për Liri”, që po mbahet sot në sheshin…