Radovanoviqi rrëfen si u fshehën trupat e shqiptarëve në Serbi

14 shtator 2026 | 08:26

Gazetari dhe shkrimtari beogradas Rade Radovanoviq thotë se mohimi i krimeve të kryera gjatë luftërave të viteve ’90 vazhdon të jetë një nga problemet kryesore të shoqërisë serbe.

Në një intervistë për RTKLive, Radovanoviq, autor i librit “E qeshura nën litar”, ka folur për krimet e kryera në Kosovë gjatë vitit 1999, zhvendosjen e trupave të civilëve shqiptarë drejt Serbisë, varrezat masive dhe mënyrën se si, sipas tij, këto ngjarje vazhdojnë të relativizohen dhe mohohen në Serbi.

Duke iu referuar politikës së regjimit të Slobodan Millosheviqit, Radovanoviq thotë se pas krimeve ndaj civilëve shqiptarë nisi një proces për fshehjen e gjurmëve.

“‘Nuk ka kufomë, nuk ka krim’, u deklaroi Millosheviqi bashkëpunëtorëve të tij, pas së cilës nisën kamionët frigoriferë me trupat e civilëve shqiptarë, varrezat masive, e më pas sanimet e terrenit”, deklaron ai.

Sipas Radovanoviqit, kjo strategji ishte e drejtpërdrejtë dhe përgjegjësia, sipas tij, arrinte deri te vetë Millosheviqi.

“Personalisht. Operativisht, për këtë ishte i ngarkuar ministri i policisë Vlajko Stojiljkoviq”, thotë ai, duke shtuar se qëllimi ishte që trupat e civilëve shqiptarë të vrarë në Kosovë të zhvendoseshin në varreza masive në Serbi për të fshehur krimet.

Radovanoviq përmend edhe zbulimin e një kamioni frigorifer pranë Kladovës, më 5 prill 1999, ku, sipas tij, u gjetën 83 trupa të civilëve shqiptarë.

Ai e lidh këtë me atë që e konsideron si vazhdimësi të mohimit të krimeve në shoqërinë serbe.

“Për disa njerëz nuk peshojnë asgjë dokumentet, faktet mbi krimet dhe bëmat konkrete; ndaj gjithçkaje që shohin e dëgjojnë përgjigjen shkurt e me pak fjalë – po, e çfarë pastaj?! Dhe vazhdojnë tutje”, shprehet Radovanoviq.

Sipas tij, viktimat e politikës së Millosheviqit ishin për vite me radhë të dehumanizuara përmes propagandës.

“Gjatë tridhjetë viteve të kaluara, përpara se të likuidoheshin, viktimat e politikës kriminele të Sllobodan Milosheviqit janë dehumanizuar publikisht në mënyrë konstante, të vazhdueshme dhe sistematike”, thotë ai.

Radovanoviq kritikon edhe mungesën e reagimit të institucioneve serbe ndaj zbulimit të varrezave masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

“Nuk pati, gjë që është e pritshme. Këtë lajm e publikuan disa media të lira në Serbi, por gjithçka mbeti me kaq. Varrezat masive dhe krimet që forcat serbe kanë kryer gjatë luftërave të viteve të nëntëdhjeta prej vitesh nuk përbëjnë lajm në Serbi”, deklaron ai.

Ai thotë se një tjetër problem mbetet çështja e personave të zhdukur dhe mungesa e bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas tij, rreth 1,700 serbë dhe jo më pak se 2,000 shqiptarë konsiderohen të zhdukur, ndërsa kërkimi për trupat e tyre vështirësohet nga mungesa e bashkëpunimit.

“E gjithë historia për të zhdukurit është një dëshmi e trishtë e marrëdhënies tonë etike dhe civilizuese ndaj njerëzve që humbën jetën në luftërat dhe konfliktet e Ballkanit në vitet e nëntëdhjeta”, thotë Radovanoviq.

“Bota serbe”, vazhdim i ideve të vjetra nacionaliste

Duke folur për politikën serbe ndaj Kosovës dhe rajonit, Radovanoviq thotë se ideja e “Serbisë së Madhe” vazhdon të jetë e pranishme te nacionalistët serbë.

“Nuk e kupton. Kjo pyetje nuk shtrohet fare. Te nacionalistët serbë ideja e ‘Serbisë së Madhe’ mbijeton përkundër të gjithave. Falë Aleksandër Vulinit dhe ndikimit rus, së fundmi ajo është përkthyer në idenë e ‘botës serbe’ si pjesë e ‘botës ruse’”, shprehet ai.

Sipas tij, kjo ide lidhet me konceptet nacionaliste që janë zhvilluar shumë kohë më parë.

Ai përmend edhe sloganin “Vitin tjetër në Prizren”, duke thënë se ai vazhdon të përsëritet nga qarqet nacionaliste serbe.

“Nacionalistët vazhdojnë të shohin ëndrrat e tyre imperialiste. ‘Vitin tjetër në Prizren’, përsërisin”, deklaron Radovanoviq.

Ai e sheh mohimin e krimeve dhe glorifikimin e figurave të dënuara për krime lufte si pjesë të një problemi më të gjerë të shoqërisë serbe.

Radovanoviq kundërshton edhe shifrat që, sipas tij, përdoren në Serbi për të paraqitur numrin e viktimave të bombardimeve të NATO-s.

Ai thotë se shifra zyrtare në Beograd flet për mijëra viktima, ndërsa pretendon se vetë Millosheviqi kishte përmendur një numër dukshëm më të ulët.

Në të njëjtën kohë, ai i referohet të dhënave të pesë organizatave joqeveritare, sipas të cilave gjatë luftës në Kosovë janë vrarë ose zhdukur 13,535 persona, prej tyre 10,812 shqiptarë, 2,197 serbë dhe 526 pjesëtarë të komuniteteve të tjera.

Radovanoviq thotë se këto të dhëna duhet të shërbejnë si bazë për përballjen me të kaluarën dhe jo për manipulim politik.

Radovanoviq thotë se përkundër temave të dhimbshme që trajton në librin e tij, ai nuk është penduar për publikimin e tij.

“Mendoj se është me rëndësi që e vërteta, e cila në Serbi për momentin është armiku numër një, në kuptimin etik dhe historik të gjejë rrugën e saj drejt opinionit publik”, përfundon ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e re e Republikës së Kosovës pritet të mbajë…