Kongresi amerikan mban dëgjim për politikën e ShBA-së dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor
Nënkomiteti për Evropën i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së do të mbajë të martën, më 15 shtator, një dëgjim me temën “Politika e SHBA-së dhe sfidat rajonale të sigurisë në Ballkanin Perëndimor”.
Dëgjimi është planifikuar të nisë në orën 10:00 sipas kohës lokale në Washington dhe do të mbahet në ndërtesën Rayburn të Dhomës së Përfaqësuesve.
Diskutues i vetëm i paralajmëruar për këtë seancë është Daniel J. Lawton, zëvendësndihmës sekretar në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, dëgjimi do të fokusohet në politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Ballkanit Perëndimor dhe në sfidat e sigurisë me të cilat përballet rajoni.
Faqja zyrtare e Komitetit nuk ka publikuar ende detaje të çështjeve që do të trajtohen, prandaj në këtë fazë nuk mund të thuhet saktësisht se sa hapësirë do t’i kushtohet Kosovës, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës apo vendeve të tjera të rajonit.
Dëgjimi vjen në një periudhë kur Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë në fokusin e debatit në Kongresin amerikan për shkak të stabilitetit rajonal, integrimit euroatlantik dhe ndikimit të akterëve të jashtëm.
Vetëm në dhjetor të vitit të kaluar, i njëjti nënkomitet kishte mbajtur një dëgjim tjetër për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, ku ndër temat e ngritura ishin edhe raportet Kosovë–Serbi, siguria në rajon dhe qasja amerikane ndaj Beogradit dhe Prishtinës.
Në këtë takim do të jenë edhe përfaqësuesit e organizatës “Albanians for America”.




