Shtyhet finalja e Superkupës së Kosovës në basketboll
Finalja e shumëpritur e ProCredit Superkupës së Kosovës në basketboll është shtyrë për dy javë, ka njoftuar Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).
Finalja ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit, e paraparë të zhvillohej më 15 shtator nga ora 19:00 në Palestrën Sportive “Mizahir Isma” në Rahovec, nuk do të zhvillohet në datën e planifikuar.
Bordi i FBK-së ka miratuar kërkesën zyrtare të Komunës së Rahovecit për shtyrjen e ndeshjes, e cila është parashtruar për arsye teknike dhe organizative, me qëllim të sigurimit të kushteve të nevojshme për organizimin dhe mbarëvajtjen sa më të mirë të finales.
Sipas vendimit të Bordit të FBK-së, finalja do të zhvillohet më 29 ose 30 shtator 2026, po në Palestrën Sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.
Data dhe ora përfundimtare e finales do të përcaktohen pas koordinimit të FBK-së me Komunën e Rahovecit dhe KB Rahoveci 029, ndërsa do t’i komunikohen me kohë opinionit publik.
FBK ka konfirmuar se të gjitha biletat e blera për finalen e paraparë më 15 shtator do të mbeten të vlefshme edhe për datën e re të zhvillimit të ndeshjes.



