Gucati optimist për aktgjykimin ndaj çlirimtarëve: Nesër Kosova do të festojë
Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka shprehur optimizëm se krerët e UÇK-së do të lirohen në aktgjykimin që pritet të shpallet të mërkurën në Hagë.
Gucati ka thënë se shpreson që procesi gjyqësor të përfundojë me lirimin e tyre dhe që çështja të mos shkojë në Apel.
“Do Zoti në Hagë nuk vij më kurrë. Po shpresoj që të jetë kjo vizita e fundit në Hagë për këtë punë”, ka thënë Gucati në emisionin “Kosova Today”.
Teksa kanë mbetur më pak se 24 orë deri te shpallja e aktgjykimit, Gucati është shprehur i bindur se e mërkura do të jetë ditë feste në Kosovë.
“Besoj që nesër do të lirohen, kështu kam shpresë, kështu besoj dhe kështu do të jetë, sepse fakte nuk ka, argumente, të gjitha akuzat kanë qenë të pabaza”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, Gucati ka paralajmëruar se nëse aktgjykimi do të jetë dënues, OVLUÇK-ja do të dalë në rrugë për të protestuar.
Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit pritet të shpallet të mërkurën në Gjykatën Speciale në Hagë.



