Gjini takon shefen e Ambasadës së ShBA-së, bisedojnë për zhvillimet aktuale në Kosovë
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, është takuar të premten me ushtruesen e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Gjini ka bërë me dije se në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe situatën pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Përmes një postimi në “Facebook”, ai ka thënë se e ka njoftuar Prattipatin për qëndrimin e Aleancës dhe përkushtimin e saj për mbrojtjen e interesit të shtetit dhe demokracisë.
“E njoftova znj. Prattipati për qëndrimin e Aleancës dhe përkushtimin tonë të palëkundur në mbrojtje të interesit të shtetit dhe demokracisë. Në këtë kohë sfidash, Aleanca e konsideron përgjegjësi të mos lejojë cenimin e të arriturave të Kosovës dhe asnjë hap prapa në rrugën e saj euroatlantike”, ka shkruar Gjini.
Ai ka thënë se e ka falënderuar Prattipatin për rolin e saj dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën.
“Znj. Prattipati e falënderova për rolin e saj aktiv dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në proceset e rëndësishme që po kalon vendi ynë”, ka shkruar Gjini.



