Maliqi: Kjo punë ka me shku deri në paralizimin e Kushtetueses, ndryshe s’krijohet Republika e Tretë

11 shtator 2026 | 16:52

Analisti politik, Agon Maliqi, ka thënë se po bëhen manovra që “lideri”, duke iu referuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të zgjedhë elektoratin që dëshiron, duke e shtyrë kohën me institucione të përkohshme dhe pa Kuvend.

Maliqi ka thënë se synimi është që të zgjatet kjo situatë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që vendi të mbetet edhe pa këtë mekanizëm mbikëqyrës.

“Në çdo demokraci elektorati e zgjedh liderin, vetëm te ne lideri bën manovra që ta zgjedhë elektoratin. Meqë nuk është i kënaqur me këtë popullin e qershorit, gjithqysh do me e pritë prapë atë popullin tjetër të dhjetorit. Kështu me institucione të përkohshme dhe pa Kuvend ka me shku kjo punë deri në skadimin e mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese verës tjetër, në mënyrë që me e paralizu edhe këtë mekanizëm mbikëqyrës. Ndryshe nuk krijohet Republika e Tretë”, ka deklaruar Maliqi.

Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar as në vazhdimin e seancave të mbajtura jashtë afatit kushtetues, i cili skadoi më 7 gusht.

Pas zgjedhjes së Albulena Haxhiut kryetare të Kuvendit, çështja ka mbetur te zgjedhja e nënkryetarëve.

Lëvizja Vetëvendosje sot ka refuzuar të votojë kandidaten e propozuar nga PDK-ja, Vlora Çitaku, pavarësisht se kjo parti kishte votuar pro kandidatit të propozuar nga LV-ja, Ardian Gola.

Pas kësaj, PDK-ja ka lëshuar sallën dhe ka bërë të ditur se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkohë, Vetëvendosje është pozicionuar edhe kundër kandidatit të propozuar nga LDK-ja, Kujtim Shala.

Deputetët e LDK-së kanë votuar pro si për Golën, ashtu edhe për Çitakun, por kanë refuzuar të procedojnë me kandidatin e tyre pa u përfunduar zgjedhja e nënkryetarit nga grupi i dytë parlamentar, duke kërkuar respektimin e procedurës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona ka marrë tashmë një vlerë të madhe nga nënshkrimi…