LV-ja mbështet Marshin për Liri: Ata që e themeluan Gjykatën Speciale duhet t’i kërkojnë falje popullit

11 shtator 2026 | 17:10

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur mbështetje për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet nesër (e shtunë) në Prishtinë.

Në një deklaratë të publikuar më 11 shtator, LV-ja ka kritikuar themelimin e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si “dëmin më të madh” që, sipas saj, i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.

Sipas LV-së, me krijimin e Gjykatës Speciale është vendosur një rend i jashtëzakonshëm gjyqësor me fushëveprim ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa Serbia dhe përgjegjësit e saj për krimet e kryera në Kosovë kanë mbetur jashtë këtij procesi.

“Gjykata Speciale e ka padrejtësinë në themelin e saj. Me krijimin e saj, Kosova pranoi një rend të jashtëzakonshëm gjyqësor, me fushëveprim të drejtuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Parimi i barazisë para ligjit u flijua dhe njëra palë e luftës u veçua për ndjekje”, është thënë në deklaratën e LV-së.

LV-ja ka pretenduar gjithashtu se zanafilla e Gjykatës Speciale ishte politike dhe ka përmendur nismën e vitit 2008 në Këshillin e Evropës, e cila çoi në raportin e Dick Martyt.

Sipas saj, pretendimet për trafikim organesh, të cilat u përdorën atëherë si pjesë e debatit, e kryen qëllimin e tyre politik, duke vendosur luftën çlirimtare nën dyshim dhe duke hapur rrugën për krijimin e një gjykate të posaçme.

LV-ja ka kritikuar edhe argumentin se Kosova duhej ta themelonte vetë Gjykatën Speciale për të shmangur një gjykatë të mundshme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Frika prej Rusisë u përdor që Kosova ta miratonte vetë nismën e nisur nga përfaqësuesit rusë e serbë”, është thënë në deklaratë.

Më tutje, LV-ja ka thënë se themelimi i Gjykatës Speciale ka shkaktuar dëme në aspektin kushtetues dhe të sovranitetit të Kosovës, ndërsa ka kritikuar edhe kohëzgjatjen e paraburgimit të të akuzuarve.

“Paraburgimi shumëvjeçar është kthyer në dënim para aktgjykimit. Të akuzuarit mbahen larg familjeve dhe atdheut, ndërsa prezumimi i pafajësisë po zbrazet çdo ditë nga kuptimi”, është thënë në deklaratën e LV-së.

Në fund, LV-ja ka kërkuar që deputetët që e kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale të distancohen nga vota e tyre dhe të kërkojnë falje.

“Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, është thënë në deklaratë.

LV-ja ka bërë thirrje për pjesëmarrje në “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, duke e lidhur atë me kërkesën për “lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën e luftës” çlirimtare.

“Marshi për Liri” është paralajmëruar për  nesër (e shtunë), më 12 shtator, në Prishtinë. Sipas njoftimeve për organizimin, marshi do të nisë në orën 14:00 nga sheshi “Skënderbeu”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga PLR në Fribourg, Lulzim Shala, u…