Fjala hyrëse e gjykatësit Smith: Çështja s’ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së për Kosovën e pavarur, por me veprimet e të akuzuarve
Gjyqtari Charles Smith, në hapje të seancës, është shprehur se kjo çështje nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe qëllimet e saj për pavarësimin e Kosovës.
“Ka të bëjë me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve. Ka të bëjë vetëm me fakte dhe rrethana që lidhen me akuzat kundër të akuzuarve. Kjo çështje s’ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur. Nuk ka të bëjë me vlerësimin e përgjegjësive të njërës palë kundër palës tjetër. Nuk ka të bëjë me krime që forcat dhe paramilitarët serbë kanë kryer kundër shqiptarëve të Kosovës. Kjo çështje s’ka të bëjë me kurrfarë pretendimi për vetëmbrojtje”.
Trupi gjykues që po shqipton aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kryesohet nga gjykatësi Charles Smith.



