Seferi po udhëheq Kayserisporin drejt Superligës
16 shtator 2026
| 14:36
Sulmuesi Taulant Seferi po e udhëheq skuadrën e Kayserisporit drejt rikthimit në Superligën e Turqisë. Pas shtatë xhirove të zhvilluara në Ligën e Parë, Kayserispori prin në tabelë me 16 pikë, me pesë fitore, një barazim dhe një humbje.
E njëri prej më të merituarve për këtë ecuri padyshim se është futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Taulant Seferi. 29-vjeçari ka treguar formë fantastike, pasi deri më tani ka shënuar shtatë gola në po aq ndeshje kampionale.
Seferi është transferuar te Kayserispori gjatë verës nga Bodrumi dhe me ekipin e ri ka kontratë deri në verën e vitit 2029. Falë formës së tij të mirë, Seferi pritet të jetë në mesin e lojtarëve të grumbulluar nga selektori i Shqipërisë, Rolando Maran, për ndeshjet e Ligës së Kombeve.



