Policia jep hollësi për protestën e mbrëmshme pranë bazës së EULEX-it

17 shtator 2026 | 08:27

Policia e Kosovës ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook për angazhimet e saj gjatë protestave të zhvilluara të mërkurën në Prishtinë, duke bërë të ditur se një pjesë e protestuesve, rreth orës 22:30, kanë lëvizur në drejtim të bazës së EULEX-it, pranë tregut të gjelbër në rrugën Prishtinë – Fushë-Kosovë.

Sipas Policisë, me të arritur pranë hyrjes së objektit të EULEX-it, protestuesit kanë bllokuar rrugën dhe kanë nisur të hedhin gjësende të ndryshme, mjete të forta dhe mjete piroteknike.

Si pasojë e mjeteve piroteknike, një pjesë e objektit është përfshirë nga një zjarr i vogël, i cili, sipas Policisë, është shuar menjëherë.

Zyrtarët policorë kanë komunikuar vazhdimisht me protestuesit dhe u kanë kërkuar që protestat t’i zhvillojnë në mënyrë të qetë dhe të mos hedhin gjësende apo mjete të rrezikshme në drejtim të objekteve shtetërore.

Policia ka bërë me dije se ka menaxhuar mbarëvajtjen e tubimeve dhe protestave, të cilat, sipas saj, kanë kaluar pa incidente madhore dhe pa të lënduar në mesin e protestuesve apo zyrtarëve policorë.

Protesta ka përfunduar pas mesnatës, rreth orës 00:20.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, ka reaguar në lidhje me…