Selmanaj del me tri sugjerime për t’iu kundërpërgjigjur asaj që ndodhi dje në Hagë
Ish-deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka dalë me tri sugjerime për hapat e ardhshëm që, sipas tij, duhet të ndërmerren në Kosovë pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Speciale.
Selmanaj ka kërkuar mobilizim të institucioneve për ofrimin e mbështetjes së fuqishme politike, juridike, financiare dhe profesionale për procesin që do të zhvillohet në shkallën e Apelit.
Ai është shprehur se Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë duhet të koordinohen ngushtë për një angazhim të gjerë diplomatik, me qëllim të informimit, sensibilizimit dhe adresimit të shqetësimeve lidhur me punën dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Gjithashtu, Selmanaj ka theksuar se Kosova duhet të bashkëpunojë me aleatët strategjikë, veçanërisht me ShBA-në dhe vendet mike, për të garantuar, sipas tij, pavarësi dhe standarde të barabarta të drejtësisë.
“Heqja e ndikimit të shtetit të Serbisë në punën e këtyre dhomave, duhet të jetë prioritet i të gjithëve”, ka shkruar Selmanaj në “Facebook”.
Në reagimin e tij, ai ka bërë thirrje për unitet institucional, mbështetje profesionale dhe angazhim të koordinuar politik e diplomatik.
“Pa mobilizimin dhe mbështetjen e madhe nga i gjithë aparati shtetëror i Kosovës, epilogu edhe në shkallën e Apelit mund të jetë negativ dhe me shumë pasoja për të ardhmen e shtetit tonë!”, ka shkruar Selmanaj.



