‘FAZ’: Aktgjykimi ndaj Thaçit është vetëm fjala e parafundit, lufta e Kosovës ishte e pashmangshme dhe e drejtë
Gazeta konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) ka publikuar një koment lidhur me aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke theksuar se vendimi i Dhomave të Specializuara nuk përbën përfundimin e procesit gjyqësor.
Sipas FAZ, nga aspekti juridik, aktgjykimi është vetëm “fjala e parafundit”, pasi mbetet ende e hapur mundësia e apelimit.
Gazeta shkruan se, bazuar në gjendjen aktuale të provave, ekzistojnë pak gjasa që një proces eventual i apelimit të përfundojë me lirimin e Thaçit nga akuzat. Megjithatë, ajo thekson se çështja e kohëzgjatjes së dënimit prej 25 vitesh burgim duhet të shqyrtohet edhe në raport me dënimet e shqiptuara ndaj kriminelëve serbë të luftës.
Në koment, “FAZ” vë theks të veçantë edhe te konteksti historik i luftës në Kosovë dhe paralajmëron se aktgjykimi nuk duhet të çojë në mjegullimin e përmasave të ngjarjeve të vitit 1999.
Sipas gazetës gjermane, konflikti në Kosovë ishte nxitur nga politika e Serbisë së Madhe dhe regjimi i atëhershëm i Slobodan Millosheviqit, ndërsa forcat serbe të sigurisë kishin kryer krime në përmasa shumë më të mëdha se ato për të cilat është akuzuar UÇK-ja.
FAZ vlerëson gjithashtu se gjykata ka bërë të qartë se procesi në Hagë nuk është gjykim ndaj shqiptarëve të Kosovës, UÇK-së apo luftës së saj për pavarësi.
Në këtë kontekst, gazeta gjermane shkruan se lufta e UÇK-së kundër shtypjes serbe ishte “e pashmangshme dhe e drejtë”, duke e vendosur kështu aktgjykimin brenda një konteksti më të gjerë historik të konfliktit në Kosovë.



