Cali me shokët në Hagë shprehin ngushëllime për Flora Brovinën: Ajo ishte UÇK
Salih Mustafa, së bashku me bashkëluftëtarët e tij që ndodhen në Hagë, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të mjekes, humanistes dhe veprimtares Flora Brovina.
Në ceremoninë përkujtimore për Brovinën, vajza e Salih Mustafës, Buna Mustafa, ka përcjellë mesazhin e babait të saj dhe të bashkëluftëtarëve të tij nga Haga.
Ajo ka thënë se Mustafa dhe të tjerët kanë shprehur dhimbjen për humbjen e Brovinës, të cilën e kanë konsideruar bashkëveprimtare dhe bashkëluftëtare.
“Babai, Cali, me shokët e tij në Hagë, duan të shprehin dhimbjen e tyre të thellë për humbjen e bashkëveprimtares dhe bashkëluftëtares së tyre. Ngushëllojnë familjen dhe të gjithë shoqërinë”, ka thënë Buna Mustafa.
Duke përcjellë fjalët e babait të saj, ajo ka theksuar rolin që, sipas tij, Brovina kishte në rezistencën dhe luftën në Kosovë.
“Bota duhet të dijë se kush ishte doktoreshë Flora. Ajo ishte shpirti i rezistencës. Krah i djathtë i imi dhe Isa Kastratit. Ishte luftëtare e Guerilës. Flora ishte UÇK”, ka cituar ajo Salih Mustafën.
Flora Brovina, e cila ndërroi jetë së fundmi, gjatë viteve të luftës në Kosovë ishte e angazhuar në ofrimin e ndihmës mjekësore dhe aktiviteteve humanitare. Herë pas here, roli i saj gjatë luftës është përshkruar në mënyra të ndryshme nga bashkëpunëtorë dhe figura të kohës.
Ngushëllimet nga Haga iu përcollën familjes së Brovinës në ceremoninë përkujtimore, duke rikujtuar kontributin e saj dhe lidhjet që kishte me persona të angazhuar në rezistencën dhe luftën e Kosovës.



