Hoxhaj: Vendimi dënues në Hagë është agresion ndërkombëtar ndaj Kosovës

18 shtator 2026 | 11:07

Deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i ish-krerëve të UÇK-së, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së përbën, sipas tij, agresion ndërkombëtar ndaj Kosovës.

“Ne do të duhej ta ripozicionojmë komplet skenën tonë politike, se si t’i qasemi kësaj teme. Kjo është goditja ma e madhe. Ky është një agresion ndërkombëtar ndaj shtetit të Kosovës. Para 2-3 vitesh e kemi pas agresionin në Banjskë, kjo goditje është agresion ndërkombëtar ndaj Kosovës. Hapi i parë duhet të jetë që deputetët të nisin t’i mbledhin nënshkrimet dhe të fillojnë procesin e zhbërjes së gjykatës. Unë jam i pari që jam i gatshëm ta japë nënshkrimin”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj është shprehur se me vendimin e djeshëm të Hagës, të cilin e ka cilësuar si të padrejtë, është goditur historia dhe identiteti i Kosovës.

“U godit identiteti jonë, u godit edhe e tashmja e Kosovës, por mendoj që u godit edhe lufta jonë për pavarësi edhe legjitimiteti i shtetit tonë të pavarur, prandaj kjo është një situatë komplet e re politike, janë rrethana të reja politike, unë mendoj që ne duhet ta rimendojmë qasjen tonë si politikë në Kosovë”, ka deklaruar ai në RTV21.

Hoxhaj gjithashtu ka theksuar se vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së, sipas tij, nuk do të jetë kurrë i pranueshëm.

“Nëse gjykata thotë se udhëheqësit e UÇK-së kanë pasur qëllim kriminal dhe kanë ndjekur plan kriminal, është fyerje më e madhe që i bëhet popullit të Kosovës, qytetarëve të saj. Një vendim i tillë është i papranueshëm, një vendim të tillë kurrë nuk duhet ta pranojmë përtej asaj që shkon në apel dhe duhet të ankimohet. Populli i Kosovës në çdo formë, çdo mënyrë, këtij vendimi duhet t’i thotë JO”, ka thënë Hoxhaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazeta konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) ka publikuar një…