PDK-ja pritet të dorëzojë sot në Kuvend nismën për ndryshimin e Ligjit për Specialen?
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të dorëzojë sot në Kuvend propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas burimeve të “KosovaPress”-it, nisma pritet të dorëzohet gjatë ditës së sotme.
Kjo nismë legjislative e PDK-së vjen në kohën kur janë shtuar diskutimet politike rreth funksionimit dhe mandatit të Dhomave të Specializuara, pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Dhomat e Specializuara shpallën më 16 shtator aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim. Në dënimet e shqiptuara llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Trupi Gjykues i shpalli ata fajtorë për disa akuza, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Sipas aktgjykimit, Prokuroria e Specializuar nuk arriti të dëshmonte përtej dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer një sulm i përhapur ose sistematik kundër popullatës civile.
Pas aktgjykimit, PDK-ja ka zhvilluar diskutime për hapat që do të ndërmerren lidhur me Dhomat e Specializuara. Një ditë pas vendimit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti dhe Hamza diskutuan për rrugët dhe mënyrat që mund të ndiqen pas aktgjykimit. Në takim u theksua edhe mundësia që vendimi të ndryshojë në shkallën e apelit.
Dhomat e Specializuara janë themeluar pas ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nga Kuvendi i Kosovës.
Derisa vendimi për dënimin e katërshes së UÇK-së në Hagë u dha “në emër të popullit të Kosovës” nga gjykatësi Charles Smith, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka deklaruar se presidenti i ri i Kosovës, mbase, mund t’i falë ata.



