Memli Krasniqi: Do të dalim sërish në protestë, zëri ynë duhet të dëgjohet çdo ditë
Ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas protestës së mbajtur sot në Prishtinë kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Krasniqi ka qenë pjesë e protestës në sheshin “Skënderbeu”.
Përmes një postimi në “Facebook”, ai ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke bërë thirrje për pjesëmarrje.
“Dolëm mbrëmë, dolëm sot në mesditë, do të dalim prapë edhe shumë herë tjera”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet çdo ditë, deri në vendosjen e drejtësisë.
“UÇK-ja ishte lufta e një populli për liri, prandaj mbrojtja e së vërtetës së saj është mbrojtje e vetë lirisë sonë”, ka shkruar ai.
Krasniqi e ka përmbyllur postimin me thirrjen: “Shihemi përsëri në sheshin e lirisë!”.



