FSK-ja zhvillon kursin e avancuar për snajper
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka zhvilluar Kursin e Avancuar për Snajper, në kuadër të përpjekjeve për zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve profesionale të pjesëtarëve të saj.
Sipas njoftimit të FSK-së, kursi ka pasur fokus aftësimin dhe përgatitjen e pjesëtarëve për realizimin e detyrave të vëzhgimit, zbulimit dhe mbledhjes së informacioneve në zona me rrezikshmëri të lartë.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit janë aftësuar dhe vlerësuar në disa fusha profesionale, përfshirë organizimin dhe planifikimin e misionit, kalkulimin dhe realizimin e qitjeve, si dhe përdorimin e sistemeve të precizionit SIG Sauer.
Pjesë e trajnimit kanë qenë edhe aftësitë fushore, përfshirë kamuflimin, fshehjen dhe lëvizjen, si dhe teknikat e përndjekjes dhe vëzhgimit (Stalking).
Sipas FSK-së, pjesëmarrësit janë trajnuar gjithashtu për identifikimin dhe angazhimin e caqeve në përputhje me prioritetet e përcaktuara në mision.
FSK-ja ka bërë të ditur se përmes trajnimeve të avancuara synon të vazhdojë investimin në profesionalizmin, disiplinën dhe kapacitetet operacionale të pjesëtarëve të saj, me qëllim të përmbushjes së misionit dhe standardeve të kërkuara profesionale.




