THIRRJE PUBLIKE PËR KRERËT E TË GJITHA SUBJEKTEVE POLITIKE
THIRRJE PUBLIKE PËR KRERËT E TË GJITHA SUBJEKTEVE POLITIKE
Nga Faton Hasani
Të gjithë shqiptarëve, pa dallim feje, religjioni, përkatësie politike e krahine.
Mosni me paragjykime!
Kujtoni fjalën më të shpeshtë të Presidentit historik Ibrahim Rugova:
DURIM, DURIM!
Tashmë është e qartë për të gjithë se dënimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nuk duhet parë thjesht si çështje individësh. Sipas meje, asnjëri prej tyre nuk akuzohet se ka kryer personalisht ndonjë krim apo se ka urdhëruar kryerjen e ndonjë krimi ndaj civilëve apo kundërshtarëve politikë, ndërsa pretendimet se ata kanë pasur kontroll mbi të tjerët janë absurde.
Vetë Thaçi ka qenë i rrezikuar nga komandantë zonash, të cilët e kërcënonin se, nëse e nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë, e cila solli intervenimin e NATO-s, do të vritej.
Thaçi dhe të tjerët nuk kanë pasur autoritet vendimmarrës mbi të tjerët. UÇK-ja ka qenë një organizatë guerile pa komandë faktike në terren dhe, në të shumtën e rasteve, njësitë e saj u formuan vullnetarisht nga fshatarët, të cilët mbrojtën aq sa mundën pragun e shtëpive të tyre.
Në Hagë u dënua UÇK-ja, jo individët!
Me cilat prova?
Me provat e Serbisë, të cilat, sipas këtij qëndrimi, janë fabrikuar së bashku me njerëzit që bashkëpunuan me të në Kosovë.
Me provat e Serbisë, të këtij shteti gjenocidal që vrau fëmijët e vet në rastin Panda në Pejë dhe, sipas këtij pretendimi, edhe në raste të tjera për ta akuzuar UÇK-në; me prova të Serbisë, agjentët e së cilës, sipas këtij pretendimi, u kapën nga AKI-ja duke blerë me qindra mijëra euro dëshmitarë të rremë.
Jam plotësisht në favor të zbardhjes së çdo krimi që ka ndodhur, por nëse mendoni se kjo Gjykatë është formuar për t’i zbuluar vrasjet e civilëve dhe vrasjet e të ashtuquajturve kundërshtarë politikë, gaboheni rëndë.
Personalisht mendoj se duhet të zhvendoset në Kosovë Gjykata Speciale dhe ZPS-ja, ku duhet të jenë gjyqtarët më kredibilë dhe prokurorët më profesionalë vendorë, ndërsa puna e tyre të monitorohet nga ndërkombëtarët dhe të zbardhen të gjitha vrasjet e para dhe pas luftës, duke përfshirë edhe vrasjet e pretenduara politike.
Thirrjet për zhbërjen e Gjykatës Speciale janë folklor politik dhe ide e Serbisë për ta kthyer UNMIK-un në Kosovë.
Dënimi i çlirimtarëve në Hagë është hapja e Kutisë së Pandorës. Serbia do ta kapitalizojë këtë vendim të Gjykatës maksimalisht. Nuk do të ketë njohje të reja, do të ketë tërheqje të njohjeve nga disa vende, largim të Kosovës nga shumë organizata ku është anëtarësuar.
Përmes BIA-s do të tentojë ta destabilizojë Kosovën, duke vrarë shqiptarë për të krijuar vëllavrasje dhe serbë për t’i akuzuar shqiptarët, si në rastin Panda, si dhe përmes inskenimeve e krimeve të tjera, për t’i dëshmuar botës se ndërhyrja e NATO-s ka qenë e gabuar dhe se ky shtet nuk mund të funksionojë.
Si hap të parë, sipas këtij skenari, do të argumentohej nevoja për kthimin e UNMIK-ut, për kthimin e 1,000 ushtarëve serbë për ta mbrojtur pakicën serbe, sipas Rezolutës 1244, e cila është në fuqi, dhe përfundimisht për ta kthyer sovranitetin e plotë në Kosovë.
Cilët janë hapat që duhet të ndërmarrë skena politike në Kosovë?
LVV-ja t’i krijojë urgjentisht institucionet dhe, në mënyrë taktike, duke i lënë anash interesat partiake, ta zgjedhë Presidentin nga PDK-ja, një figurë të pastër, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe në segmentet e tjera. Unë mendoj se personi më i përshtatshëm është z. Bajrush Xhemajli.
E meta e tij është [se s’ka ditur të bëjë miliona, ashtu i pati thënë Ramiz Lladrovci, e pati akuzuar se po jeton me një rrogë. Këtë e kemi dëgjuar live në Debat Plus. Ky Ramizi, dorëheqjen e të cilit po e kërkon krejt Drenica, ata e dinë pse…]
Në bashkëveprim dhe bashkëpunim të ngushtë mes Presidentit, Kryeministrit të zgjedhur nga populli, z. Albin Kurti, dhe Kryetares së Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, të krijojnë urgjentisht platformën mbrojtëse dhe ekipin e zgjeruar profesional për t’u mbrojtur nga kjo egërsi dhe sulm politik e diplomatik i Serbisë, me premisa reale për një sulm apo invadim ushtarak në të ardhmen.
Të organizohen protesta të qeta, jo të dhunshme, pa ngjyrime politike dhe pa grupime të caktuara, sepse UÇK-ja nuk i takon vetëm Hysni Gucatit, por krejt popullit.
Do t’i bënte nder UÇK-së që në krye të OVL-së të vendosej një epror ushtarak, intelektual, që di të flasë ashtu siç i takon, gjë të cilën, sipas mendimit tim, nuk mund ta bëjë Hysni Gucati.
Nga ky veprim i Gjykatës Speciale në Hagë më së shumti ka pësuar politikisht PDK-ja, sepse janë dënuar dy liderët e saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Por kjo nuk ia jep të drejtën asnjë zyrtari politik të gjuajë gurë e akuza në drejtim të aleatëve tanë, Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Deklarata e znj. Vlora Çitaku i shënjestroi, sipas këtij qëndrimi, saktësisht këto dy shtete. Me deklaratën e saj, znj. Çitaku, qoftë nga pakujdesia apo për arsye të tjera, përveç dëmit që, sipas mendimit tim, ia ka bërë partisë, i ka bërë dëm edhe Kosovës dhe vetë çlirimtarëve në Hagë, të cilët duhet ta apelojnë vendimin.
Prandaj, për shkak të këtij gabimi të rëndë, nëse nuk e ofron dorëheqjen, duhet të shkarkohet nga të gjitha pozitat në parti dhe partia të distancohet publikisht. Bile, duhet të ngrehë këmbën zvarrë e t’i marrë me vete edhe disa kolegë e kolege të vet, sepse janë konsumuar së tepërmi, e kanë ngulfatur partinë dhe ia kanë zënë frymën partisë dhe parlamentit.
MASAT QË DUHET TË MARRË SHTETI I KOSOVËS
Urgjentisht ta zgjedhë Presidentin, Bajrush Xhemajlin nga PDK-ja.
Urgjentisht Presidenti, Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit ta krijojnë platformën dhe planin konkret, me ndihmën e ekspertëve juridikë dhe diplomatëve, të ndajnë shuma të konsiderueshme mjetesh nga buxheti dhe, bashkë me avokatët ndërkombëtarë, të përgatiten për ankimimin e vendimit në apel.
Urgjentisht të shtohen kapacitetet diplomatike përmes diplomatëve në MPJ, ambasadave tona dhe njerëzve që kanë njohje e relacione, dhe të angazhohen për lobim.
Të angazhohen 25 kompani lobimi në SHBA dhe 25 kompani lobimi në Evropë dhe Turqi.
Shqipëria të ndajë fonde të theksuara financiare dhe të ofrojë kapacitetet e saj në fushën e ekspertëve juridikë dhe diplomatikë, si dhe të angazhojë kompani lobimi në SHBA dhe Evropë.
Të jetë e qartë se rasti i gjeneralit Gotovina në Kroaci nuk ka asnjë ngjashmëri me rastin e çlirimtarëve tanë në Hagë. Të mos gënjehet populli dhe familjet e çlirimtarëve dhe të mos krijohen shpresa të rreme. Mjaft më me këto marrëzira.
Të ndryshohet strategjia e mbrojtjes. Përveç mbrojtësve juridikë dhe avokatëve, të japin përgjegjësi edhe ata të cilët kanë qenë të angazhuar nga partia për lobim dhe nuk kanë sjellë asnjë rezultat; ndoshta edhe kanë bërë dëme.
Serbia, me qëllim të destabilizimit të situatës dhe realizimit të planeve ogurzeza për Kosovën, mund të organizojë raste të ngjashme me rastin Panda në Pejë, ku, sipas këtij pretendimi, vrau fëmijët e vet për ta fajësuar UÇK-në. Mund të kryejë sulme ndaj atyre që kanë dhënë dëshmitë e tyre në Hagë, me qëllim që t’ua ngarkojë çlirimtarëve situatën në Hagë.
Prandaj: Policia dhe AKI-ja duhet të mobilizohen, t’i shtojnë kapacitetet e tyre dhe të plotësohen edhe me një komponentë rezervë. Qeveria duhet ta trefishojë buxhetin e Policisë dhe AKI-së dhe të punohet që:
1. Të pengohet çdo lloj proteste e dhunshme dhe të monitorohen fjalimet në protesta.
2. Të mbrohen objektet fetare të pakicës serbe në gjithë territorin e Kosovës.
3. Të ketë prezencë të shtuar shumëfish të Policisë në të gjitha vendbanimet serbe.
4. Të kontrollohen me detaje hyrjet e personave jorezidentë në Kosovë.
5. Inspektorati sanitar dhe i tregut t’i kontrollojë dhe urdhërojë të gjitha hotelet dhe këto shtëpi të degjeneruara që çdo person të identifikohet dhe t’i fotokopjohet letërnjoftimi.
6. Policia të shtojë kontrollet brenda territorit, në vetura, lokale dhe objekte të tjera të veçanta.
7. Të gjithë ata që janë deklaruar se kanë qenë dëshmitarë, qoftë të prokurorisë apo të mbrojtjes, duhet të merren për një periudhë të caktuar në mbrojtje të afërt nga Policia, sepse të dyja palët mund të jenë shënjestër e BIA-s serbe, me qëllim të shkaktimit të vëllavrasjes dhe rëndimit të situatës së çlirimtarëve në Hagë.
Po i referohem rastit të Dick Martit, ku, sipas këtij pretendimi, BIA-ja serbe, pasi e kishte shfrytëzuar për të paraqitur akuza të rreme për trafikim organesh, kishte dashur ta vriste dhe t’ua mveshte shqiptarëve, për t’ua rënduar procesin në Hagë çlirimtarëve.
8. Prezenca e BIA-s në Kosovë
Në shumë raste të polemikave mes politikanëve të opozitës dhe pozitës në Serbi, politikanë të opozitës kanë kërkuar llogari nga qeveria serbe për fondet financiare, qindra milionëshe, që i përdor BIA për 1,300 bashkëpunëtorë shqiptarë në diasporë dhe 1,000 të tjerë në Kosovë. Kjo, sipas këtij pretendimi, asnjëherë nuk është demantuar. Përkundrazi, Daçiq ka falënderuar bashkëpunëtorët shqiptarë që po e ndihmojnë shtetin serb.
Këta individë duhet të identifikohen.
Mjafton të shikohen profilet e tyre në rrjetet sociale.
Ata akuzojnë komandantët e UÇK-së.
E paraqesin UÇK-në si terroriste.
Thërrasin në vëllavrasje.
Tentojnë ta thellojnë përçarjen mes shqiptarëve.
E paraqesin veten si anëtarë të LVV-së dhe përkrahës të Albin Kurtit, e që në fakt nuk kanë lidhje me LVV-në dhe as me Albin Kurtin.
Vendimin e Gjykatës Speciale e paraqesin si vendim përfundimtar, edhe pse ekziston e drejta e ankimimit.
Kjo kategori është më e shprehur në diasporë dhe kryesisht te moshat 65 vjeç e lart. Për disa prej tyre shpreh dyshimin tim se janë vënë në shërbim të BIA-s.
Durimi, vigjilenca dhe mosneglizhenca janë tri çështje në të cilat duhet të angazhohemi të gjithë!



