Nga Kosova në diasporë, nuk ndalen protestat në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së
Sonte në Prishtinë nga ora 21:00 mbahet protesta e pestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, përpara ndërtesës së Qeverisë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët u dënuan nga Gjykata Speciale me 81 vjet burgim, shkruan Reporteri.net.
Përveç në Prishtinë protesta po mbahen edhe në shumë qytete evropiane.
Të shtunën u mbajtën tubime në disa qytete nga disapora në Gjermani, ku pjesëmarrësit kanë marshuar me flamuj kuqezi.
Sot qindra shqiptarë protestuan edhe në Vjenë të Austrisë, duke mbajtur flamuj kombëtarë dhe simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së është mbajtur edhe në Vankuver të Kanadasë.
Edhe nga Kalabria, shqiptarët bashkohen në një mesazh solidariteti për drejtuesit e UÇK-së.
Protestë është paralajmëruar për nesër edhe nga organizata studentore, kurse marsh protestues ka paralajmëruar për javën tjetër edhe Organizata e Veteranëve të UÇK-së.



