Protestat do të vazhdojnë, Apeli t’i rrëzojë dosjet e Serbisë
Xhevdet Qeriqi, veteran i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka folur lidhur me hapat dhe veprimet që pritet t’i ndërmarrin veteranët dhe invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas vendimit dënues nga Gjykata Speciale në Hagë.
Sipas Qeriqit, reagimi qytetar dhe organizimi i veteranëve do të vijojë përmes kundërshtimit të vazhdueshëm në rrugë, koordinimit të brendshëm ditor dhe pritjeve për betejën ligjore në shkallën e dytë.
Qeriqi theksoi se mobilizimi në sheshe po dëshmon vetëdijesimin e qytetarëve për padrejtësinë që, sipas tij, po u bëhet krerëve të UÇK-së:
Normalisht se jemi të kënaqur, për arsye se edhe qytetarët më në fund e kanë kuptuar se atje ka ndodhur një padrejtësi me vendimin e fundit që u mor në Hagë, sepse të gjithë kemi pritur një vendim lirues. Kështu që jemi shumë të kënaqur me përgjigjen pozitive, do të thotë me pjesëmarrjen e tyre në protestë. Edhe po vazhdojmë ta kundërshtojmë këtë vendim të padrejtë që është marrë në Gjykatën Speciale në Hagë, sepse luftëtarët e UÇK-së nuk kanë pasur asnjë element me u gjykuar e jo me u dënuar, por fatkeqësisht ndodhi një vendim politik, ashtu qysh u arrestuan edhe u mbajtën e u dënuan. Por po shpresojmë që në Gjykatën e Apelit, do të thotë, do të rrëzohen të gjitha këto prova të prokurorisë e të gjykatës, edhe luftëtarët e UÇK-së t’i kthehen familjeve edhe t’i kthehen Kosovës” ka thënë Qeriqi në Edicionin Special në Klan Kosova.
Ai vuri në dukje se prania masive e gjeneratave të reja në protesta po zbeh edhe fushatat ofenduese që bëheshin në rrjete sociale nga adresa të rreme.
Lidhur me hapat konkretë dhe komunikimin e përditshëm mes ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Qeriqi tregoi se kontaktet janë të pandërprera në të gjithë vendin.
Përveç reagimit publik, fokusi i veteranëve mbetet te rrëzimi i aktgjykimit në shkallën e Apelit, duke kundërshtuar provat e ardhura nga institucionet serbe.



