Takimi Kurti-Kallas, Behrami: Pas vendimit në Hagë, presioni do të jetë shumë i madh
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar pas takimeve të ndara që shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Behrami ka thënë se pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, presioni ndaj Kosovës do të jetë edhe më i madh.
“Kaja Kallas, shefja e dialogut Kosovë–Serbi është njëkohësisht shefja e Gjykatës Speciale. Dje, në New York, takoi Kurtin dhe Vuçiqin dhe tha se është urgjent zbatimi i marrëveshjes së Ohrit. Dënimin e krerëve të UÇK-së, BE-ja e sheh natyrisht si favor për Vuçiqin dhe, fatkeqësisht, edhe për Kurtin. Tani presioni do të jetë shumë i madh mbi ta”, ka shkruar Behrami në “Facebook”.
Ai ka deklaruar se kjo është, sipas tij, një nga arsyet për të cilat duhet të ndryshohet Ligji për Dhomat e Specializuara.
“Ta rikthejmë ligjshmërinë dhe Gjykatën në Kosovë. Mos ta lëmë më në duart e Kallasit, e cila mund ta shantazhojë Kosovën në dialog!”, ka deklaruar Behrami.



