Deda: Kushtetuesja e prishi matematikën e zgjedhjeve për 27 dhjetor, e ktheu në binarë konstituimin e institucioneve
Analisti politik, Ilir Deda, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve.
Deda ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka kthyer në binarë të ligjshmërisë procesin e konstituimit të institucioneve, ndërsa ka vlerësuar se vendimi ka prishur edhe matematikën e zgjedhjeve të 27 dhjetorit.
“Gjithashtu, e prishi matematikën e zgjedhjeve për 27 dhjetor”, ka shkruar Deda në “Facebook”.
Ai ka shtuar se, pas vendimit të Kushtetueses, gjithçka është e qartë dhe tani mbetet të shihet nëse ekziston mundësia për ndonjë përbashkim politik në këtë situatë.
“Tash që gjithçka është e qartë, po presim të shohim a ka çfarëdo mundësie për çfarëdo përbashkimi në këtë situatë – më të vështirën në këto 15 vjetët e fundit”, ka shkruar Deda.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues, ndërsa ka përcaktuar se afati për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
Ndërkaq, Gjykata ka konstatuar se zgjedhja e Qeverisë është në përputhje me Kushtetutën.



