Ramadani: U dështoi loja pushtetarëve, deri më 6 tetor ose zgjidhet presidenti ose shkohet në zgjedhje
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për konstituimin e Kuvendit dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.
Ramadani ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas skadimit të afatit 30-ditor, duke theksuar se vendimi përcakton edhe pasojat kushtetuese të këtij tejkalimi.
“U dështoi loja pushtetarëve! Le ta mësojnë këta pushtetarët: Kushtetuta nuk është copë letre këshilluese dhe afatet kushtetuese nuk janë dekor”, ka shkruar Ramadani në “Facebook”.
Ai ka deklaruar se deri më 6 tetor duhet të zgjidhet presidenti ose vendi të shkojë në zgjedhje.
“Deri më 6 tetor ose zgjidhet Presidenti ose shkohet në zgjedhje”, ka shkruar Ramadani
Ramadani ka pretenduar gjithashtu se veprimet e ndërmarra nga 8 gushti deri më 13 shtator janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Krejt çka kanë bërë nga 8 gushti e deri më 13 shtator, Gjykata ua hodhi poshtë!”, ka shkruar Ramadani.



