Gruda: Afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ai ka vërtetuar qëndrimet që PDK-ja i ka mbajtur vazhdimisht gjatë kësaj periudhe.
Gruda ka renditur katër pika që, sipas tij, janë konfirmuar nga vendimi i Kushtetueses.
Ai ka thënë se Kushtetuta është shkelur duke mos u konstituuar Kuvendi brenda afatit 30-ditor.
Sipas Grudës, afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Ai ka pretenduar se LV-ja nuk mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesit të saj politik dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor.
Gruda ka theksuar gjithashtu se nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së duhet të zgjidhet, duke thënë se kjo pozitë nuk mund të anashkalohet apo të mbetet peng i vullnetit të shumicës parlamentare.
“Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar: për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë”, ka shkruar Gruda në “Facebook”.
Ai ka thënë se vendimi i Kushtetueses konfirmon, sipas tij, parimin se afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe se Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit.



