Aktgjykimi i Kushtetueses, Gjini: Kosova shkon në zgjedhje me fajtor Albin Kurtin
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja, pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se afatet për konstituimin e Kuvendit janë konsumuar.
Gjini ka thënë se AAK-ja kishte paralajmëruar vazhdimisht se procesi po zvarritej me synimin, sipas tij, për ta çuar vendin sërish në zgjedhje.
“Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti”, ka shkruar Gjini në “Facbook”.
Ai ka thënë se “shkeljet kushtetuese kurrë nuk kanë arsye patriotike”, duke akuzuar se ato mund të bëhen për interesa të ngushta politike.
Gjini ka shtuar se qytetarët e Kosovës i kuptojnë, sipas tij, lojërat politike dhe interesat partiake.
Postimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese konstatoi se afatet për konstituimin e Kuvendit janë konsumuar.
Aleanca e ka përsëritur një gjë të tillë tash e sa kohë. E kemi dëshmuar qartë dhe me kohë se që prej 7 qershorit e deri më sot, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara e ka zvarritur kohën vetëm për ta çuar vendin në zgjedhje prapë. Edhe këtë Aleanca e ka spikatur pa numër herë.
Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti.
Gjykata Kushtetuese e nxori Kosovën prej një momenti të paparashikuar krize, 6 tetorin. E të cilën datë po ashtu partia që i fitoi zgjedhjet e kaluara e priste.
Shkeljet kushtetuese kurrë nuk kanë arsye patriotike. Çdo shkelje kushtetuese, kurdo dhe kudo qoftë ajo, bëhet vetëm me qëllim të mbajtjes së pushtetit në mënyrë të paligjshme.
Populli i Kosovës e ka të qartë çdo lojë politike për interesa të ngushta partiake të cilitdo akter, dhe po ashtu e ka të qartë se kush ofron zgjidhje që sjellin jetë më të mirë për qytetarët.



