Nesër gjithë shqiptarët “në këmbë” për UÇK-në, protesta edhe në Shkup, Bruksel, Helsinki e Paris

24 shtator 2026 | 20:13

Protestat kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nuk po ndalen. Pas tubimeve në Kosovë dhe diasporë, një valë e re protestash pritet të zhvillohet gjatë ditëve në vijim në disa qytete evropiane, ndërsa kulmi pritet të jetë më 1 tetor, me marshin e paralajmëruar në qendër të Prishtinës.

Vala e re nis më 25 shtator, kur protesta janë paralajmëruar edhe në Francë. Në Lyon, tubimi do të mbahet në orën 18:30, në sheshin Antonin-Poncet, ndërsa në Paris protesta do të zhvillohet në sheshin Joachim-du-Bellay

Protestat e radhës nisin të shtunën, më 26 shtator. Në Gjermani janë paralajmëruar tubime në Hamburg, Frankfurt, Hannover dhe Düsseldorf, ndërsa protesta do të ketë edhe në Helsinki të Finlandës.

Në Hamburg, protesta do të mbahet nga ora 16:00 deri në 18:00, në Rathausmarkt 1. Në Frankfurt tubimi nis në 17:00, në Börsenplatz, ndërsa në Helsinki në të njëjtën orë, në Kansalaistori. Më pas, në 18:00, protestohet në Hannover, në Ernst-August-Platz, ndërsa në Düsseldorf protesta nis në 19:00, në Johannes-Rau-Platz.

Të nesërmen, më 27 shtator, vala e protestave vazhdon në disa vende të tjera. Në Londër protesta është paralajmëruar në 11:30, ndërsa në Graz të Austrisë në 12:00, në Hauptplatz.

Më pas, në 14:00, protestuesit pritet të mblidhen në Gjenevë, në Place des Nations. Në Treviso të Italisë, tubimi do të mbahet nga 14:30 deri në 18:00, në Piazza delle Istituzioni, ndërsa në Karlsruhe të Gjermanisë protesta nis në 15:00, në Marktplatz.

Protestat nuk përfundojnë me fundjavën. Në Prishtinë, më 1 tetor, është paralajmëruar një marsh në sheshin “Skënderbeu”, i cili do të nisë në 16:00.

Këtyre tubimeve u shtohen edhe protestat e paralajmëruara në Shkup, Bruksel dhe Mulhouse, ndërsa në Prishtinë po vazhdojnë edhe protestat e përditshme në orën 21:00.

Kjo valë protestash vjen pas aktgjykimit të 16 shtatorit në Hagë, me të cilin katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Organizatorët dhe pjesëmarrësit e tubimeve e kundërshtojnë vendimin dhe thonë se përmes protestave synojnë të shprehin qëndrimin e tyre ndaj aktgjykimit dhe të mbrojnë vlerat e luftës së UÇK-së.

Ndërkohë, në Kosovë protestat në Prishtinë po vazhdojnë çdo natë në orën 21:00, me qytetarë që mblidhen në sheshin “Skënderbeu” për të kundërshtuar vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Organizimet pritet të vazhdojnë edhe në netët e ardhshme, krahas protestave të paralajmëruara në qytete të tjera të Kosovës dhe jashtë vendit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli dhe…