“Qëndroni të fortë, edhe kjo sfidë kalon”, Krasniqi tregon se çfarë i thanë çlirimtarët
Këtë të premte edhe Prizreni do t’i bashkohet protestave të qytetarëve që kundërshtojnë dënimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Me fillim nga ora 19:00, Prizreni çohet në këmbë për çlirimtarët, ndërsa iniciatorë janë fëmijët e dëshmorëve, veteranë e invalidëve të luftës, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta.
Në një intervistë për Klan Kosova, anëtari i Këshillit Organizativ i kësaj proteste, Milot Krasniqi ka thënë se kjo protestë është paqësore dhe për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tregoi edhe për bisedat që ka zhvilluar me ish-krerët.
“Kam qenë disa herë në Hagë, e them me gjithë shpirt që kemi shkuar me plot dhimbje sepse i kemi krerët e UÇK-së në Hagë që po përballen me muret e atij burgu, por më besoni që kam dalë me një kurajo të madhe nga ta, e me një thirrje të vetme ‘qëndroni bashkë e rrini të fortë se dhe kjo sfidë kalon për ne, siç ka kaluar ajo e vitit ‘99’”, tha ai.



