Kuvendi nesër me deklaratë për Hagën: A do të jetë në lartësinë e shembullit kroat?

27 shtator 2026 | 23:32

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të hënën, më 28 shtator, në orën 11:00. Në rend dite është miratimi i një deklarate për aktgjykimin ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Drafti e kundërshton aktgjykimin dhe shpreh shqetësime për procesin gjyqësor. Ai përmban edhe zotimin për veprime brenda kompetencave të Kuvendit, përfshirë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ky është drafti i deklaratës së Kuvendit të Kosovës:

Projektdeklaratë e Kuvendit të Republikës së Kosovës Lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës të 16 shtatorit 2026 Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh kundërshtimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Për Kuvendin e Republikës së Kosovës është i papranueshëm përfundimi për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët dhe përgjegjësinë që, mbi atë përfundim, i është atribuuar secilit prej tyre. Pas gati gjashtë vjetësh në paraburgim, shqyrtimi në apel duhet të jetë i plotë, i paanshëm dhe i mbështetur në një vlerësim të kujdesshëm të provave.

Aktgjykimi. gjatësia e dënimit dhe arsyetimi i tij, janë krejtësisht të pambështetura në prova e fakte, të pabazuara ligjërisht, si dhe të papërputhshme me realitetin e luftës në Kosovë e me pritjet e popullit të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi nga qëndresa e popullit tonë ndaj shtypjes së gjatë, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe politikës gjenocidale të regjimit të Millosheviqit.

Qëllimi i saj ishte çlirimi i Kosovës. Kjo e vërtetë historike nuk mund të zëvendësohet me një rrëfim në të cilin organizimi politik dhe ushtarak i shqiptarëve lexohet kryesisht përmes një qëllimi kriminal.

Trupi gjykues ka deklaruar se nuk ka gjykuar legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur. Megjithatë, përfundimi i tij se katër ish-anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm kanë marrë pjesë në një qëllim kriminal të përbashkët ka pasoja që shkojnë përtej fatit të tyre personal. Kuvendi nuk pranon që përgjegjësia penale e pretenduar ndaj individëve të shtrihet mbi UÇK-në, mbi rezistencën politike të shqiptarëve apo mbi të drejtën e popullit të Kosovës për liri.

Në Kosovën e viteve 1998–1999, një ndërmarrje e përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve është vërtetuar tashmë me aktgjykim ndërkombëtar ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit.

Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë. Kuvendi kërkon që në apel të shqyrtohet me rreptësi lidhja ndërmjet provave dhe përgjegjësisë së veçantë të secilit prej katër ish-drejtuesve.

Pozita drejtuese dhe veprimtaria politike nuk e zëvendësojnë provën për dijeninë, veprimet dhe kontributin personal në krimet e ngarkuara. Kuvendi vëren gjithashtu se trupi gjykues i shpalli të katër të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi nuk e gjeti të provuar një sulm të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile. Ky përfundim duhet të marrë peshën e duhur në shqyrtimin e tërësisë së çështjes në apel. Vrasjet dhe masakrat, dhuna seksuale dhe dëbimi masiv i qytetarëve tanë nga forcat e Serbisë nuk mund të lihen në hije.

Kërkimi i përgjegjësisë për këto krime, kujdesi për të mbijetuarit dhe ruajtja e dëshmive të tyre mbeten detyrë e përhershme e Republikës së Kosovës. Dhomat e Specializuara u themeluan me ligj të miratuar nga ky Kuvend.

Kuvendi pret prej tyre drejtësi të paanshme, të bazuar në prova konkrete dhe arsyetim gjyqësor të plotë siç e parashohin standartet më larta për një process gjyqësor të drejtë. Ai u bën thirrje institucioneve të Republikës që, brenda ligjit, t’u vënë në dispozicion ekipeve mbrojtëse dokumentet dhe ndihmën e nevojshme për ushtrimin efektiv të së drejtës së apelit.

Kuvendi bën thirrje për një strategji të përbashkët shtetërore ku bashkërendohen veprimet juridike, institucionale e diplomatike për të vërtetën e plotë të luftës së drejtë për liri dhe çlirimin e Kosovës. Kuvendi qëndron pranë familjeve të katër ish-drejtuesve të UÇK-së dhe pranë të gjitha familjeve që bartin plagët e luftës.

Mbrojtja e trashëgimisë së UÇK-së kërkon dinjitet dhe përgjegjësi. Asnjë dëshmitar, viktimë apo qytetar nuk duhet të shënjestrohet për shkak të këtij procesi. E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë.

Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis. Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund, duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të një procesit të rregullt ligjor.

Rasti i Kroacisë:

I. Parlamenti i Kroacisë shpreh pakënaqësinë e tij të thellë me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomës Gjyqësore të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) ndaj gjeneralëve kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markač. Parlamenti i konsideron formulimet juridike dhe faktike mbi të cilat mbështetet aktgjykimi, veçanërisht konstruktin e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, krejtësisht të papranueshme, historikisht të pavërteta dhe juridikisht të pabazuara.

II. Parlamenti i Kroacisë rithekson me vendosmëri se Lufta për Atdheun (Domovinski rat) ishte një përpjekje ushtarake legjitime, mbrojtëse dhe e drejtë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kroacisë nga agresioni serbomadh. Operacioni “Stuhia” (Oluja) ishte një operacion ushtarak çlirimtar, i zhvilluar në mënyrë të ligjshme për të rivendosur rendin kushtetues të Republikës së Kroacisë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së. Ai nuk ishte dhe nuk mund të interpretohet kurrë si ndërmarrje që synonte zhvendosjen e detyruar ose spastrimin etnik të popullsisë civile.

III. Parlamenti i Kroacisë e detyron Qeverinë e Republikës së Kroacisë të përdorë të gjithë mekanizmat, instrumentet dhe mjetet politike e juridike të disponueshme sipas së drejtës ndërkombëtare për të kundërshtuar pretendimet për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” gjatë procedurës së ardhshme të apelit. Qeveria udhëzohet t’u sigurojë ekipeve mbrojtëse të gjeneralëve kroatë të dënuar padrejtësisht mbështetje të plotë dhe pa kufizime juridike, financiare dhe logjistike.

IV. Republika e Kroacisë mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të saj kushtetuese dhe detyrimeve ndërkombëtare, përfshirë bashkëpunimin me organet gjyqësore ndërkombëtare. Megjithatë, ky bashkëpunim duhet të bazohet në të vërtetën, drejtësinë dhe respektimin e fakteve historike. Parlamenti u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve të ruajnë dinjitetin, të qëndrojnë të bashkuar dhe të veprojnë për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe dinjitetit të Luftës për Atdheun. Nacionale.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se pjesëmarrja e Ferdonije…