Pesë të arrestuar pranë një baze ajrore britanike, dyshohen për terrorizëm
Policia britanike ka arrestuar pesë persona pranë një baze ajrore në Angli, nën dyshimin për terrorizëm dhe vepra penale të lidhura me eksplozivë.
Arrestimet u kryen një ditë më parë, pas informacioneve të marra nga banorët e zonës pak pas mesnatës. Njësitë e ushtrisë për çaktivizimi e bombave mbërritën në vendngjarje, ndërsa dhjetëra banesa pranë zonës u evakuuan si masë paraprake.
Sipas policisë kundër terrorizmit, pesë të dyshuarit janë arrestuar edhe me dyshimin se po përgatitnin një akt terrorist. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike dhe autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi një motiv të mundshëm.
“Jemi në fazat e hershme të një hetimi dhe pesë burra mbeten në paraburgim”, deklaroi Vicki Evans, oficere e lartë e Policimit Kundër Terrorizmit.
Baza ajrore përdoret nga forcat amerikane dhe është e lidhur me operacionet e bombarduesve me rreze të gjatë veprimi. Presidenti amerikan Donald Trump i përshkroi arrestimet si “fantastike” dhe tha se autoritetet amerikane dhe britanike i kishin të dyshuarit nën vëzhgim prej një kohe të gjatë.
Megjithatë, media britanike, përfshirë BBC, The Guardian dhe The Telegraph, raportuan duke cituar burime se operacioni nuk ishte rezultat i një informacioni të inteligjencës. Sipas këtyre raportimeve, sinjalizimet nga banorët vendas mund të kenë ndihmuar në njoftimin e autoriteteve.
Ambasada amerikane në Londër u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Mbretërinë e Bashkuar të tregojnë kujdes dhe të jenë të vëmendshëm ndaj sigurisë personale.



