‘Projektligji për Specialen’, Hamza tregon çfarë bisedoi me Kurtin
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë me dije se çfarë është diskutuar në takimin e së dielës me kryeministrin Albin Kurti.
Hamza ka thënë para mediave se në takim është diskutuar Projektligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Siç ka thënë ai, pas aktgjykimit të 16 shtatorit, për PDK-në, por edhe për Kosovën, plotësimi dhe ndryshimi i këtij ligji është çështje me rëndësi, pasi lidhet me të ardhmen e vendit dhe tejkalon mandatet e një partie politike apo të një qeverie.
“Për çka kemi biseduar, po të tregoj. Kemi biseduar për Projektligjin për Dhomat e Specializuara. Ju e dini që pas datës 16 shtator, për PDK-në, por edhe për Kosovën, që lidhet për një periudhë kohore përtej një mandati që i tejkalon mandatet e një partie politike, që i kalon mandatet e një qeverie, është çështje që ka të bëjë me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Është prioriteti më i lartë, plotësimi dhe ndryshimi i këtij ligji, dhe sigurisht, jo si çështje për me blloku, por si nevojë, si nevojë për me i bërë korrektimet e caktuara, dhe për me kthyer gjykatën brenda mandatit, dhe me i rregulluar disa çështje që kanë dalë jashtë mandatit për çka është krijuar kjo gjykatë edhe me amendamentin kushtetues”, ka thënë Hamza.
Ai ka deklaruar njëherësh se PDK-ja është e gatshme të presë edhe pak kohë që qeveria t’i përfundojë pjesët që lidhen me opinionin ligjor dhe çështje të tjera, ndërsa pret që i njëjti projektligj të trajtohet në një seancë të jashtëzakonshme, me dy lexime brenda së njëjtës ditë.



