Komisioni Evropian propozon kufizimin e të drejtave për anëtarët e ardhshëm të BE-së
Komisioni Evropian (KE) pritet të propozojë kufizimin e disa të drejtave për anëtarët e ardhshëm të Bashkimit Evropian (BE), si dhe kalimin në vendimmarrje me shumicë të kualifikuar, në vend të unanimitetit, në disa fusha, përfshirë edhe zgjerimin. Këto janë ndër elementet kryesore të strategjisë për zgjerimin që Komisioni Evropian pritet ta miratojë dhe publikojë më 7 tetor. Qëllimi i këtyre propozimeve është që pranimi i anëtarëve të rinj të mos e vështirësojë më tej procesin e vendimmarrjes brenda bllokut evropian.
KE-ja pritet të theksojë në strategji se zgjerimi duhet të përgatitet mirë dhe të jetë në përfitim të ndërsjellë. Kandidatët për anëtarësim duhet të përmbushin kushte të rrepta, ndërsa BE-ja duhet të jetë institucionalisht, financiarisht dhe politikisht e gatshme të mbetet funksionale edhe pas zgjerimit. Sipas draftit të dokumentit, në të cilin ka pasur qasje “Radio Evropa e Lirë”, mekanizmat për anëtarët e ardhshëm do të synonin kufizimin e mundësisë për bllokimin e vendimeve gjatë viteve të para të anëtarësimit. Ndërkohë, shtetet ekzistuese anëtare do të kishin në dispozicion instrumente për të reaguar nëse anëtarët e rinj devijojnë nga detyrimet e marra përsipër.
Elementi më i ndjeshëm i draftit lidhet me kufizimin e së drejtës së vetos, që në dokument përshkruhet si “detyrim i përkohshëm lidhur me vendimmarrjen në Këshillin e BE-së dhe Këshillin Evropian”. Sipas këtij propozimi, anëtarët e ardhshëm do të zotoheshin të mos kundërshtonin vendimet e Këshillit në fushat ku kërkohet unanimitet. Ky propozim do të zbatohej për çështjet institucionale dhe ato që lidhen me zgjerimet e ardhshme.
Në këmbim, institucionet evropiane do të angazhoheshin të gjenin një zgjidhje të kënaqshme kur një anëtar i ri t’i referohej interesave thelbësore kombëtare. Marrëveshjet e reja, sipas burimeve të “REL”-it të njohura me përmbajtjen e dokumentit, do të përfshiheshin në një deklaratë të përbashkët që do t’i bashkëngjitej Traktatit të Anëtarësimit dhe do të miratohej para tij. Përveç mekanizmave ekzistues që kanë vlejtur për anëtaret e mëparshme, KE-ja do të propozojë edhe dy mekanizma të rinj, që lidhen me çështjet financiare dhe institucionale.
Mekanizmi financiar mbrojtës do t’i mundësonte KE-së që, për një periudhë të kufizuar pas anëtarësimit, të propozojë masa proporcionale nëse ka prova të qarta ose rrezik serioz se mangësitë në sundimin e ligjit po rrezikojnë menaxhimin financiar të buxhetit të BE-së ose mbrojtjen e interesave të tij financiare.
Klauzola institucionale do të zbatohej në rast të një “shkeljeje veçanërisht të rëndë”, kur Këshilli i BE-së do të mund të miratonte masa të përshtatshme dhe proporcionale, përfshirë pezullimin e përkohshëm të disa të drejtave që rrjedhin nga anëtarësimi. Komisioni pritet të paralajmërojë gjithashtu forcimin e masave në rast të përkeqësimit të sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore pas përfundimit të negociatave të anëtarësimit. Sipas propozimit të ri, anëtarësimi në BE nuk do të nënkuptojë domosdoshmërisht që anëtarët e ardhshëm të kenë automatikisht komisionarët e tyre.
Komisioni propozon që numri i komisionarëve, i cili aktualisht korrespondon me numrin e shteteve anëtare, të reduktohet në dy të tretat e numrit të shteteve anëtare, me rotacion rreptësisht të barabartë. Komisioni mbështet gjithashtu zbatimin më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar, si dhe bashkëpunimin e shtuar të një grupi shtetesh kur nuk ka unanimitet. Drafti propozon që vendimmarrja me shumicë të cilësuar të zbatohet në hapat ndërmjetës të procesit të zgjerimit, siç janë hapja dhe mbyllja e kapitujve, ndërsa unanimiteti do të vlente vetëm për vendimin përfundimtar për pranimin e një anëtareje të ardhshme në BE.



