Rutte: NATO do të forcojë mbrojtjen kundër dronëve me kosto më të ulët
NATO do të forcojë mbrojtjen me kosto më të ulët kundër dronëve, në mënyrë që të mos ketë nevojë të përdorë avionë luftarakë të avancuar kundër kërcënimeve me kosto të ulët, ka thënë të martën sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
“Ne do të forcojmë mbrojtjen më të lirë kundër dronëve, në mënyrë që të mos përdorim avionë të nivelit të lartë kundër kërcënimeve me kosto të ulët”, ka thënë Rutte në një konferencë të përbashkët për medie me kryeministrin lituanez, Mindaugas Sinkevicius, në selinë e NATO-s.
Rutte ka thënë se incidentet e përsëritura me dronë përgjatë krahut lindor të aleancës kanë treguar se si po evoluon kërcënimi.
Ai ka shtuar se NATO po përforcon mbrojtjen e saj të integruar ajrore dhe raketore përmes një “qasjeje me shumë shtresa, 360 gradë”, si dhe po përshtat mbrojtjen kundër dronëve përmes nismave të tilla si “Drone Edge”.
Rutte ka përmendur edhe një incident të ndodhur dy javë më parë, kur avionët italianë të dislokuar nga NATO nga baza ajrore Siauliai e Lituanisë kanë rrëzuar një dron që kishte shkelur hapësirën ajrore lituaneze, duke e cilësuar këtë si “mbrojtje kolektive në veprim”.
Sinkevicius ka thënë se mbrojtja ajrore dhe gatishmëria në krahun lindor të NATO-s janë ndër temat kryesore të bisedimeve.
Ai ka bërë me dije se Lituania mbetet në rrugën e duhur për të pritur një brigadë gjermane të vendosur përgjithmonë deri në fund të vitit 2027.



