Korrupsion me miliona euro, arrestohen dy ish-ministra hungarezë

29 shtator 2026 | 16:27

Dy ish-ministra të qeverive të Viktor Orbanit janë arrestuar në Hungari nën dyshimet për korrupsion, marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të miliona eurove nga fondet publike.

Aksioni i autoriteteve ka ardhur vetëm pak orë pasi parlamenti hungarez ka votuar për heqjen e imunitetit parlamentar të tyre, duke i hapur rrugë ndjekjes penale.

Sipas Prokurorisë hungareze, në pranga ka përfunduar Balazs Hanko, ish-ministër i Kulturës dhe aktualisht deputet i partisë Fidesz, raporton “The Guardian”.

Hanko dyshohet se ka orkestruar keqpërdorimin e rreth 17.3 miliardë forintëve, afërsisht 47 milionë euro, nga Fondi Kombëtar i Kulturës. Sipas akuzave, paratë janë transferuar te organizata dhe artistë të lidhur me Fideszin, si dhe janë përdorur për financimin e fushatës zgjedhore.

Hanko i ka mohuar akuzat, duke e cilësuar procesin si një “gjyq politik”.

I arrestuari i dytë është Miklos Sesztak, deputet i KDNP-së, parti aleate e Fideszit, dhe ish-ministër për Zhvillim Kombëtar gjatë periudhës 2014–2018.

Sesztak po hetohet nën dyshimet se ka përfituar më shumë se 12 miliardë forintë, rreth 32.6 milionë euro, në formë ryshfeti dhe komisionesh të paligjshme, të lidhura me tenderët e kompanisë shtetërore të autobusëve dhe projekteve të infrastrukturës publike. Edhe ai i ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë.

Në të njëjtën seancë plenare, parlamenti ka votuar edhe për heqjen e imunitetit të kryeministrit aktual, Peter Magyar, me kërkesë të tij, për t’iu përgjigjur akuzave që ai i konsideron sulme politike.

Këto masa shënojnë arrestimet e para të zyrtarëve të niveleve kaq të larta nga rrethi i ish-qeverisë së Orbanit.

Paralelisht, Zyra e re për Mbrojtjen dhe Rikuperimin e Pasurive ka bërë të ditur nisjen e katër hetimeve të tjera të mëdha, që përfshijnë abuzime me lejet e qëndrimit për punësim, shpenzime të dyshimta në nivel lokal, investime publike që lidhen me oligarkë të njohur dhe fonde propagande të shpenzuara nga struktura të shfuqizuara të ish-pushtetit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Cesc Fabregas po vazhdon të shkëlqejë në stolin e Comos,…