Zëri që mungon: Diplomacia e Kosovës në kohën e protestave
Lulëzim ETEMAJ
Që nga shpallja e aktgjykimit më 16 shtator nga Gjykata Speciale Politike në Hagë ndaj katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, në Kosovë dhe jashtë vendit janë zhvilluar protesta të shumta nën moton “Jo në emrin tim!”, me kërkesa për drejtësi dhe liri për çlirimtarët. Në këto protesta është ngritur zëri njëkohësisht edhe kundër dënimeve të mëhershme ndaj dy çlirimtarëve të tjerë, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa.
Ajo që bie veçanërisht në sy në protestat e organizuara jashtë vendit është mungesa e përfaqësuesve diplomatikë të Republikës së Kosovës. Në tubimet e qytetarëve në shtete të ndryshme, përfshirë ato jashtë Evropës, nuk janë parë ambasadorë, konsuj apo përfaqësues të tjerë diplomatikë të Kosovës.
Po aq e dukshme është mungesa e tyre në mediat e vendeve ku janë të akredituar, pikërisht në një kohë kur për Kosovën, historinë e saj dhe luftën e UÇK-së zhvillohet një debat i rëndësishëm, si në rrafshin medial, politik dhe juridik.
Diplomacia nuk duhet të kufizohet në zyra dhe aktivitete protokollare, apo shënim të 28 Nëntorit e 17 Shkurtit e herëpashere edhe promovim të ndonjë libri, kryesisht të autorëve të afërm me qeveritë. Ajo duhet të jetë e pranishme edhe në hapësirën publike, aty ku qytetarët e Kosovës protestojnë dhe ku diskutohet për vendin, historinë dhe të ardhmen e tij.
Diplomatët e Kosovës duhet të jenë aty ku është edhe zëri i qytetarëve të saj; në tubime, debate publike dhe media, duke përfaqësuar qëndrimet dhe interesat e Republikës së Kosovës.
Mungesa e tyre në protestat jashtë vendit ngre një pyetje të drejtpërdrejtë: ku është diplomacia e Kosovës tani, kur zëri i saj duhet të dëgjohet më shumë?
“Jo në emrin tim!” – për drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën historike!



