Raporti sekret i ShBA-së më 1982: Çfarë dinte Uashingtoni për Shqipërinë?

01 tetor 2026 | 08:35

Nga: Albert Hitoaliaj

Ky dokument është një raport analitik me titull “Albania After Shehu: Foreign Policy” (“Shqipëria pas Shehut: politika e jashtme”), i përgatitur nga Byroja e Inteligjencës dhe Kërkimit Shkencor(Bureau of Intelligence and Research – INR) e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Raporti mban numrin 416-AR dhe është hartuar më 22 qershor 1982, në kulmin e debatit ndërkombëtar mbi pasojat politike të vdekjes së Mehmet Shehut dhe perspektivat e politikës së jashtme të Shqipërisë. Dokumenti ruhet në Fondin Arkivor “Norman Bailey Files”, në Kutinë 1, brenda dosjes “Eastern European Policy, June 1982”, e cila përmban materiale analitike mbi zhvillimet politike në Europën Lindore të qershorit 1982. Në sistemin arkivor të fondit, dokumenti identifikohet me numrin: ID 153504; është i klasifikuar si lloji “Report” dhe përbëhet nga 16 faqe. Raporti është pjesë e koleksioneve të Ronald Reagan Presidential Library në Simi Valley, Kaliforni. Ai u deklasifikua sipas procedurave të Freedom of Information Act (FOIA), me kod administrativ M452, dhe u bë publik më 2 qershor 2015 (U.S. Department of State, Bureau of Intelligence and Research. Albania After Shehu: Foreign Policy. Report 416- AR. June 22, 1982. Norman Bailey Files, Box 1, Eastern European Policy, June 1982. Ronald Reagan Presidential Library. Declassified under FOIA, 2 June 2015).

Në kohën e hartimit, dokumenti mbante klasifikimin Confidential / Not Releasable To Foreign Nationals (Confidential/Noforn), gjë që nënkuptonte se ishte i klasifikuar si Konfidencial dhe nuk lejohej t’u shpërndahej shtetasve ose qeverive të huaja. Edhe pas deklasifikimit, dokumenti ruan shënimet origjinale të klasifikimit për secilin paragraf, në përputhje me praktikën standarde të komunitetit amerikan të inteligjencës: (U) Unclassified – informacion i paklasifikuar; nuk konsiderohet sekret; mund të publikohet pa kufizime të veçanta; (C) Confidential – informacion konfidencial; zbulimi i paautorizuar mund të dëmtojë interesat e sigurisë kombëtare të ShBA-së; (C/NF) ose (C//NF) Confidential // NOFORN – informacion konfidencial që nuk lejohet t’u shpërndahet shtetasve ose qeverive të huaja (No Foreign Nationals), mund të qarkullojë vetëm brenda personelit amerikan me autorizimin përkatës të sigurisë. Në raportet e CIA-s, DIA-s dhe INR-it, çdo paragraf klasifikohet veçmas. Kjo lejon që paragrafët (U) të mund të nxirren dhe publikohen pa cenuar informacionin e klasifikuar; paragrafët (C) ose (C/NF) të mbeten të mbrojtur. Ky sistem quhet portion marking (shënimi sipas paragrafëve) dhe është praktikë standarde në dokumentet e komunitetit amerikan të inteligjencës. Edhe pse dokumenti që po lexojmë është deklasifikuar, shënimet (U), (C) dhe (C/NF) ruhen për të treguar nivelin origjinal të klasifikimit të secilit paragraf në momentin kur raporti u hartua.

Raporti u përgatit nga analisti Paul Costolanski dhe u miratua nga Kristen Matehue, – të dy pjesë e Byrosë së Inteligjencës dhe Kërkimit Shkencor, të Departamentit të Shtetit të ShBA-së. Ai përbën një vlerësim analitik të politikës së jashtme shqiptare pas vdekjes së Mehmet Shehut, duke shqyrtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, Jugosllavinë, Kinën, Shtetet e Bashkuara, vendet e Europës Perëndimore dhe shtetet e Ballkanit, si edhe skenarët e mundshëm të evolucionit të orientimit strategjik të vendit pas largimit të Enver Hoxhës. Dokumenti ka vlerë të shumëfishtë, sepse krahas aspektit historik, ushqen me informacion edhe fushën gjeopolitike.

Raporti i INR-së i vitit 1982 ka vlerë të veçantë sepse, përtej analizës së Shqipërisë pas Mehmet Shehut, identifikon një konstante strukturore të gjeopolitikës shqiptare: pesha ndërkombëtare e vendit buron më shumë nga pozicioni gjeografik sesa nga fuqia e tij materiale. Formulimi se vendndodhja e Shqipërisë në Ballkan dhe Adriatik i jepte një rëndësi të veçantë, si për NATO-n edhe për Traktatin e Varshavës («shumë më të madhe se përmasat dhe popullsia e saj») është teza gjeopolitike qendrore e dokumentit…

Në vitin 1982, trekëndëshi përcaktues, ishte Shqipëri-Jugosllavi-BRSS. Kosova funksiononte njëkohësisht si çështje kombëtare shqiptare, dobësi e brendshme jugosllave dhe potencial për depërtim sovjetik. Prandaj Uashingtoni arrinte në një përfundim paradoksal: Hoxha, megjithëse thellësisht antijugosllav, kishte interes strategjik për ekzistencën e një Jugosllavie të fortë si barrierë ndaj BRSS-së. Kjo është logjikë klasike e ekuilibrit të fuqisë.

Sot aktorët dhe aleancat kanë ndryshuar, por gjeografia jo. Shqipëria nuk është më shtet tampon, i izoluar: është anëtare e NATO-s dhe procesi i integrimit në BE ka avancuar. Megjithatë, funksioni gjeopolitik i hapësirës shqiptare mbetet po ai: baseni Adriatiko-Jonian, Ballkani Perëndimor, Kosova dhe korridoret drejt Mesdheut përbëjnë një nyje lidhëse ndërmjet Europës kontinentale dhe Mesdheut.

Ndryshimi themelor është se Shqipëria ka kaluar nga kërkimi i një “mbrojtësi” të jashtëm, në bashkëngjitjen institucionale Perëndimore. Por paralajmërimi më interesant i raportit mbetet aktual: dobësitë e brendshme (ekonomike, politike dhe institucionale) mund ta zvogëlojnë autonominë gjeopolitike të një shteti. Këtu vlen të përmendim shkaras edhe deklaratën e sekretarit amerikan Marko Rubio (2 qershor, 2026), se: “Një vend që nuk është në gjendje të ndërtojë anije, të prodhojë ilaçe, të kontrollojë emigracionin ose të sigurojë qasje te burimet jetike, nuk do të mund të mbrojë popullin e vet, nuk do të mund të mbrojë interesat e veta dhe nuk do të mund të mbrojë mënyrën e vet të jetesës.”

Gjeografia strategjike i jep Shqipërisë rëndësi, por Rubio, me deklaratën e tij, shton dimensionin që raporti i 1982-shit e trajtonte si dobësi: pa kapacitete ekonomike, industriale dhe teknologjike, pozicioni gjeografik nuk përkthehet vetvetiu në fuqi kombëtare. Në këtë kuptim, dokumenti i vitit 1982 duhet lexuar jo thjesht si raport historik, por si dëshmi se pozicioni shqiptar është një pasuri strategjike e qëndrueshme, ndërsa aftësia për ta shndërruar gjeografinë në fuqi kombëtare varet nga cilësia e shtetit.

(I) SHQIPËRIA PAS SHEHUT: POLITIKA E JASHTME

(C) Përmbledhje

Rrethanat misterioze që shoqëruan vdekjen e papritur, në dhjetorin e kaluar, të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehut, kanë përqendruar vëmendjen mbi të ardhmen e politikës së jashtme dhe të brendshme të regjimit, përfshirë marrëdhëniet e tij me Perëndimin kapitalist, Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë. Si trashëgimtar i dukshëm i udhëheqësit të partisë, Enver Hoxha, pritej që Shehu të vazhdonte dhe të përjetësonte politikat shtypëse dhe izoluese, me të cilat regjimi është identifikuar prej kaq shumë kohësh. Nuk ka gjasa të ndodhin ndryshime të dukshme në këto politika, ndërsa Hoxha mbetet në pushtet. Megjithatë, dihet pak për ata që mund ta pasojnë atë, ose për qëndrimin e tyre ndaj botës së jashtme; mbi të gjitha, dihet pak për mundësinë e një afrimi me Bashkimin Sovjetik.

Moska ka bërë vazhdimisht thirrje për normalizimin e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare në interes të socializmit dhe të paqes botërore. Një normalizim i tillë mund të kërcënonte stabilitetin e Jugosllavisë, si edhe interesat strategjike dhe të sigurisë së NATO-s, në Ballkan dhe në Adriatik. Për më tepër, edhe nëse pasardhësi i Enver Hoxhës do të ishte i vendosur të vazhdonte armiqësinë e tij të pakompromis ndaj Bashkimit Sovjetik, udhëheqja e tij mbi një popullsi të pakënaqur dhe trazirat popullore për shkak të kushteve ekonomike dhe shoqërore mund ta shtynin atë t’i drejtohej Bashkimit Sovjetik për mbështetje ushtarake dhe ekonomike. Çdo fraksion prosovjetik që mund të shfaqej do të kishte, me gjasë, një prirje që të vepronte në këtë drejtim. Një hap i tillë mund t’i hapte rrugën sovjetikëve për të rifituar ndikimin politik dhe për të rivendosur një prani ushtarake në vend.

Nga ana tjetër, udhëheqja e re mund të kërkonte afrimin me Perëndimin. Megjithatë, kjo duket më pak e mundshme, duke pasur parasysh prirjen ideologjike tradicionale staliniste të regjimit, armiqësinë e kahershme ndaj Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës Federale të Gjermanisë, si edhe ndalimin kushtetues të vendit për pranimin e kredive nga shtetet “borgjeze”.

ROLI I SHEHUT NË POLITIKËN E JASHTME SHQIPTARE

(C/NF) “Vetëvrasja” e kryeministrit Shehu, më 18 dhjetor (bashkëpunëtorit më të ngushtë të Hoxhës për më shumë se 30 vjet), ka shkaktuar spekulime të konsiderueshme në Ballkan dhe në Perëndim mbi ndikimin që kjo do të ketë në drejtimin e ardhshëm të Shqipërisë. Deri tani, largimi i Shehut duket se ka pasur pak ndikim, për të mos thënë pasur fare, mbi orientimin e politikës së jashtme ose të brendshme të regjimit. Hoxha mbetet plotësisht në kontroll të aparatit të partisë dhe të qeverisë. Adil Çarçani, pasardhësi i Shehut si kryeministër, është zotuar të vazhdojë politikat shtypëse, izoluese dhe ksenofobe me të cilat janë identifikuar Hoxha dhe bashkëpunëtori i tij i fuqishëm, Shehu. Megjithatë, Tirana ka vazhduar përpjekjet e saj të kujdesshme për të zgjeruar marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare me vendet e përzgjedhura Perëndimore, edhe pse disa diplomatë mendojnë se një pjesë e këtij aktiviteti pasqyron më tepër mirësjellje sesa rezultate konkrete.

(C) Kjo zbutje e lehtë në planin diplomatik/tregtar, e cila kishte nisur që në vitet 1970 dhe ishte përshpejtuar pas prishjes shqiptaro-kineze në vitin 1978, duket se hedh poshtë spekulimet se Shehu nuk kreu vetëvrasje për arsye shëndetësore, siç thuhej në njoftimin zyrtar, por se ishte detyruar ta bënte këtë ose ishte vrarë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëdha me Hoxhën, lidhur me politikën e jashtme. Sipas kësaj teze, Shehu favorizonte zgjerimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet e huaja, me qëllim që t’i jepej fund izolimit të saj të vetëimponuar dhe të përmirësoheshin kushtet e saj ekonomike dhe shoqërore, të cilat përfshinin standardin më të ulët të jetesës në Evropë.

(C) Shehu, i cili kishte shërbyer si kryeministër që nga viti 1954, drejtonte aparatin qeveritar – domethënë ekonominë, çështjet kulturore dhe arsimore, sigurinë e brendshme, mbrojtjen dhe punët e jashtme. Përveç kësaj, me sa duket, ai luante një rol të rëndësishëm në formulimin e politikave të partisë, si të jashtme ashtu edhe të brendshme, dhe mbikëqyrte zbatimin e tyre në nivel qeveritar. Nga ana tjetër, Hoxha, 73- vjeçar, për të cilin raportohej se ishte i sëmurë, thuhej se ishte tërhequr gjithnjë e më shumë nga çështjet e përditshme dhe ishte përqendruar në çështje abstrakte ideologjike dhe politike.

(C) Si udhëheqës i partisë, Hoxha ishte qartësisht “primus inter pares” në hierarkinë e regjimit. Megjithëse informacioni mbi funksionimin e brendshëm të udhëheqjes shqiptare ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht i vështirë për t’u siguruar, pak raporte kanë pretenduar ndonjëherë se Shehu kishte mosmarrëveshje serioze me të ose se sfidonte autoritetin e tij, të paktën jo deri në valën e fundit të thashethemeve, që vinin kryesisht nga jugosllavët, lidhur me “vetëvrasjen” e Shehut.

Në përgjithësi, besohej se Shehu ishte po aq i pakompromis sa edhe Hoxha në kundërshtimin ndaj armiqve të shpallur politikë/ideologjikë të Shqipërisë: “imperializmit” amerikan, “social-imperializmit” sovjetik, “revizionizmit” kinez dhe jugosllav etj. Disa vëzhgues e konsideronin Shehun madje edhe më të pamëshirshëm se Hoxha në mbikëqyrjen e sistemit shtypës dhe primitiv të lidhur me “marksizëm-leninizmin” e veçantë të Shqipërisë.

PARIMET E POLITIKËS SË JASHTME SHQIPTARE

(C) Që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me BRSS-në në vitin 1961, Tirana e ka paraqitur “revizionizmin” sovjetik si armikun e saj kryesor ideologjik në botën komuniste, por kërcënimi real ndaj sovranitetit dhe pavarësisë së Shqipërisë tradicionalisht perceptohej se vinte nga Jugosllavia fqinje. Ky perceptim ka qenë faktori shtytës në kërkimin e pasluftës të Shqipërisë për një “mbrojtës” kundër hegjemonizmit jugosllav/”serbomadh”.

Frika nga Jugosllavia e shtyu Hoxhën ta lidhte Tiranën me Moskën pas prishjes Tito-Stalin në vitin 1948 dhe, më pas, të ndërmerrte reprezalje të egra kundër elementeve pro-Tito në partinë shqiptare. Afrimi Tito-Hrushov në vitet 1955-1956 dhe, më vonë, përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet Jugosllavisë dhe Kinës gjatë viteve 1970 luajtën role vendimtare si në vendimin e Hoxhës për t’u shkëputur nga BRSS-ja, ashtu edhe në ftohjen e marrëdhënieve shqiptaro-kineze.

(C) Pasi Pekini ndërpreu tregtinë dhe ndihmën ekonomike për Shqipërinë, në vitin 1978, Tirana mbeti pa një “mbrojtës” ose mirëbërës ekonomik – për herë të parë në periudhën e pasluftës. Si përgjigje, regjimi ndërmori një fushatë intensive propagandistike, duke theksuar “mbështetjen në forcat e veta, sakrificën dhe disiplinën”, për ta bërë ekonominë të qëndrueshme dhe për të mbrojtur pavarësinë përballë “rrethimit të egër dhe bllokadës ekonomike të imponuar nga vendet kapitaliste dhe revizioniste”.

(U) Shtetet e Bashkuara dhe BRSS-ja janë keqbërësit kryesorë, sipas propagandës shqiptare, fajtorë të barabartë për agresion, luftënxitjen, kolonializmin dhe shtypjen, si dhe “armiqtë e betuar” të lirisë dhe paqes. Udhëheqësit shqiptarë janë zotuar se nuk do të pajtohen kurrë me politikat e dy superfuqive dhe as do të vendosin marrëdhënie diplomatike apo marrëdhënie të çfarëdo lloji tjetër me to.

(U) Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që zgjodhi të mos merrte pjesë në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (KSBE/CSCE) të vitit 1975, e cila çoi në Aktin Final të Helsinkit. Regjimi e ka denoncuar atë akt si një “farsë” të kurdisur nga superfuqitë për të garantuar dhe për të forcuar sferat e tyre përkatëse të ndikimit në Evropë. Zyrtarët shqiptarë pretendojnë rregullisht se zhvillimet që prej Konferencës së Helsinkit e kanë përligjur plotësisht qëndrimin e tyre.

(U) Shqipëria u tërhoq zyrtarisht nga Traktati i Varshavës në shtator 1968, pas pushtimit të Çekosllovakisë të udhëhequr nga sovjetikët. Përpara këtij vendimi, ajo prej vitesh nuk kishte marrë pjesë në asnjë mbledhje të Traktatit të Varshavës apo të Këshillit për Ndihmë Ekonomike Reciproke (KNER/ CMEA). (Shqipëria ishte ndër anëtarët themelues të Traktatit të Varshavës, në vitin 1955; ajo ishte “ftuar” t’i bashkohej KNER-it në shkurt 1949, një muaj pas krijimit të tij.)

Shqipëria nuk i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike apo ekonomike me vendet e Evropës Lindore anëtare të Traktatit të Varshavës. Me përjashtim të Rumanisë, me të cilën shkëmbeheshin ambasadorë, marrëdhëniet diplomatike me këto vende zhvilloheshin në nivelin e “të ngarkuarit me punë” (“chargé d’affaires”). Megjithatë, Tirana i kishte refuzuar marrëdhëniet parti me parti me këto vende dhe i kishte sulmuar vazhdimisht ato si “revizioniste”, në mënyrë të vazhdueshme, – me përjashtim të Rumanisë.

(U) Shqipëria ka refuzuar gjithashtu lidhjet partiake me partitë që nuk janë në pushtet dhe të cilat ajo i konsideron “revizioniste” (p.sh., ato në Francë, Itali, Spanjë, Holandë, Belgjikë, Skandinavi, Finlandë, Japoni etj.). Ajo i dënon eurokomunistët se luajnë rolin e një “kolone të pestë” në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Megjithatë, ajo mban kontakte me ato parti dhe grupe të shkëputura marksiste-leniniste që e konsiderojnë Tiranën si qendrën e traditës marksiste-leniniste.

(C) Izolimi i gjatë i Shqipërisë nga bota e jashtme dhe largimi i saj nga lëvizja komuniste ndërkombëtare thekson nga rrallësia e udhëtimeve jashtë vendit të udhëheqësve të saj. Që nga vitet 1960, Hoxha nuk është larguar nga Shqipëria (dhe as Shehu), me përjashtim të udhëtimeve rastësore në Francë për trajtim mjekësor. Praktikisht, të vetmet udhëtime jashtë vendit të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë kishin qenë ato për të marrë pjesë në sesionet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Deri në vitin 1978, ministra të tjerë të kabinetit kishin vizituar rrallë vende të huaja, me përjashtim të Kinës. Disa udhëtime jashtë vendit kryheshin në nivele më të ulëta zyrtare (p.sh., delegacione tregtare që negocionin marrëveshje, shkëmbime arsimore etj.), por edhe këto ishin të kufizuara.

(C) Nacionalizmi shqiptar, i cili parashikon bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një “Shqipëri të Madhe”, ka qenë një instrument i rëndësishëm i politikës së jashtme të Hoxhës. (“Shqipëria e Madhe” do të përfshinte: territorin e regjimit të tanishëm, krahinën e Kosovës në Jugosllavi, zona të tjera të Jugosllavisë të banuara nga shqiptarë dhe pjesë të Greqisë veriore.)

Hoxha e ka përdorur nacionalizmin për të bashkuar dhe forcuar regjimin e tij, për ta përdorur si një valvul sigurie ndaj pakënaqësisë së mundshme për kushtet ekonomike dhe shoqërore brenda vendit, si dhe për të çuar më tej fushatën e tij politike/ideologjike kundër Jugosllavisë.

Megjithatë, kur e ka gjykuar të leverdishme, ai i ka zbutur ose, në dukje, i ka braktisur këto aspekte të politikës së tij të jashtme, – për shembull, në marrëdhëniet e tanishme të Shqipërisë me Greqinë dhe gjatë afrimit të shkurtër me Jugosllavinë në fund të viteve 1970, deri në trazirat e pranverës së vitit 1981 në Kosovë, ku shqiptarët përbënin rreth 70 për qind të popullsisë.

Madje, sipas raportimeve, ai ishte zotuar se do të ndihmonte në mbrojtjen e Jugosllavisë, nëse ajo do të sulmohej (p.sh., nga BRSS-ja).

(C) KONSIDERATA EKONOMIKE

Pasi Kina ndërpreu tregtinë dhe ndihmën e saj ekonomike, Tirana përshpejtoi përpjekjet, të nisura në fillim të viteve 1970, për të zgjeruar tregtinë me vende të përzgjedhura të Evropës Perëndimore, të cilat nuk paraqisnin probleme të veçanta politike/ideologjike (Franca, Italia, Greqia, Austria, vendet skandinave etj.), dhe i kushtoi një vëmendje gjithnjë e më të madhe Ballkanit, mbi të gjitha Jugosllavisë. Me Jugosllavinë u negociuan një sërë marrëveshjesh tregtare, ekonomike, arsimore dhe kulturore.

Gjatë kësaj periudhe, Tirana dukej se i kishte lënë mënjanë aspiratat e saj “irredentiste” për sa i përkiste Jugosllavisë dhe i kishte pakësuar sulmet propagandistike kundër “revizionizmit” jugosllav. Përmirësimi si i atmosferës, ashtu edhe i përmbajtjes së marrëdhënieve dypalëshe u dëshmua nga disa zhvillime:

– Ministri shqiptar i Tregtisë së Jashtme zhvilloi një vizitë zyrtare në Jugosllavi në korrik 1980 (vizita e parë ministrore e këtij lloji që prej periudhës para vitit 1948), për të negociuar një protokoll tregtar për vitin 1981 dhe një marrëveshje tregtare për vitet 1981-1985. Ai vizitoi gjithashtu Kosovën dhe Maqedoninë, ku kishte përqendrime të mëdha shqiptarësh etnikë.

– Ambasadori shqiptar në Beograd vizitoi Kosovën në pranverën e vitit 1980 për të diskutuar me zyrtarët atje bashkëpunimin shkencor dhe kulturor. Kjo ishte vizita e parë prej vitesh e një ambasadori shqiptar në atë zonë.

– Tirana heshti lidhur me gjyqet ndaj “nacionalistëve” në Jugosllavi, në të cilat shqiptarë etnikë akuzoheshin për “subversion”. Kjo heshtje krijonte kontrast të theksuar krahasuar me dënimet e mëparshme të proceseve të ngjashme gjyqësore në Kosovë dhe me denoncimet nga Tirana të gjyqeve të zhvilluara pas trazirave në Kosovë.

Pas prishjes me Kinën, udhëheqësit shqiptarë, me sa duket, vendosën të mos kërkonin më “mbrojtës” apo “mirëbërës ekonomikë” – ndoshta sepse e konsideronin tepër të lartë çmimin që duhej paguar për ta. Tirana e gjykoi gjithashtu të nevojshme të adoptonte një qasje të re ndaj Jugosllavisë, për të përballuar problemet ekonomike në rritje, që vinin si pasojë e ndërprerjes së tregtisë dhe ndihmës kineze. Në vitin 1979, Jugosllavia u bë partneri kryesor tregtar i Shqipërisë (dhe vazhdon të jetë i tillë). Lidhjet e Shqipërisë me fqinjët e saj ballkanikë u bënë më të ngushtat në historinë e saj, ndërsa tregtia shqiptare ishte më e orientuar drejt Ballkanit sesa ajo e çdo vendi tjetër ballkanik.

Duke pasur parasysh vështirësitë e saj të mëparshme me Jugosllavinë, BRSS-në dhe Kinën, udhëheqja shqiptare mund të mendojë tani se vetëm tregtia me Perëndimin është e mundur, pa u shoqëruar me trysni politike/ideologjike dhe ekonomike. Për të ruajtur pavarësinë ekonomike si nga bota kapitaliste, ashtu edhe nga ajo komuniste, plani ekonomik 1981- 1985, parashikohej të financohej tërësisht me mjetet dhe burimet e vetë Shqipërisë, pa u mbështetur në kredi apo ndihmë të huaj, siç kishte ndodhur në të kaluarën. (Kushtetuta Shqiptare, në fakt, ndalon kreditë dhe ndihmën e huaj nga “monopolet dhe shtetet kapitaliste, borgjeze dhe revizioniste”.)

Përveç kufizimeve kushtetuese dhe politike/ideologjike, natyra primitive e ekonomisë shqiptare, cilësia e dobët e lëndëve të para dhe e produkteve të saj të përpunuara, si dhe mungesa e kërkesës në Perëndim për eksportet shqiptare, ndërthureshin duke kufizuar marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare të vendit. Pamundësia për të siguruar valutë të fortë e kishte bërë më të vështirë blerjen e teknologjisë dhe të pajisjeve Perëndimore të nevojshme dhe/ose të dëshiruara. Megjithatë, nuk ka tregues se Tirana synon të ndryshojë politikat e saj të ngurta, me qëllim zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike me jashtë.

SPEKTRI I “HEGJEMONIZMIT” JUGOSLLAV

C) Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe jugosllavëve – mbi të gjitha me serbët dhe malazezët – janë dominuar nga urrejtje, hasmëri, rivalitete dhe dyshime shekullore. Si rrjedhojë, frika se mos “gëlltitej” nga Jugosllavia (ose nga Serbia përpara krijimit të shtetit jugosllav) ka qenë gjithmonë një faktor madhor, në mos vendimtar, në aleancat e Tiranës. Për më tepër, mosmarrëveshjet ndërmjet komunistëve shqiptarë lidhur me ndikimin dhe rolin që duhej të kishte Jugosllavia në Shqipëri kanë çuar në spastrime që për vite me radhë kanë tronditur partinë dhe qeverinë shqiptare.

(C) Në periudhën menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u bë praktikisht një shtet satelit i Jugosllavisë. Për njëfarë kohe, po bëheshin përgatitje që ajo të bëhej republika e shtatë e Federatës Jugosllave. Dominimi i Jugosllavisë në të gjitha fushat e jetës shqiptare ngjalli pakënaqësi te disa komunistë shqiptarë dhe shkaktoi përçarje të ashpra fraksioniste ndërmjet fraksioneve pro-Tito dhe anti-Tito.

(C) Kur marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare filluan të përkeqësoheshin (paralelisht me marrëdhëniet jugosllavo-sovjetike), Hoxha dhe Shehu, të cilët i kishin shpëtuar për fije spastrimit dhe, ndoshta, ekzekutimit nga fraksioni pro-Tito, u rreshtuan me BRSS-në kundër Jugosllavisë. Afrimi i mëvonshëm ndërmjet Titos dhe Hrushovit (1955-1956) shkaktoi shqetësime të thella te udhëheqësit shqiptarë, të cilët kishin frikë se Hrushovi mund ta lejonte Titon të rifitonte një pozitë dominuese në Shqipëri, si pjesë e një kompromisi politik. Si rrjedhojë, Tirana u bë gjithnjë e më e rezervuar dhe dyshuese. Marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike u përkeqësuan dhe, më në fund, u ndërprenë në vitin 1961.

(C) Më pas, Tirana iu drejtua Kinës, e cila po zhvillonte një fushatë të ashpër ideologjike kundër Jugosllavisë (por që, në të vërtetë, drejtohej kundër BRSS-së “revizioniste”). Ndërsa përçarja sovjeto-kineze bëhej gjithnjë e më e hapur, shqiptarët lidhën zyrtarisht aleancë me Pekinin.

Rreth një dekadë më vonë, ndërsa marrëdhëniet jugosllavo-kineze po përmirësoheshin, – duke arritur kulmin me vizitën triumfale të Titos në Kinë në vitin 1977 dhe me vizitën në Jugosllavi në vitin 1978 të Kryetarit të Partisë dhe Kryeministrit Hua Kuo-feng, – mosmarrëveshjet ndërmjet Tiranës dhe Pekinit u thelluan deri në atë pikë sa u bënë të papajtueshme.

(C) Paradoksalisht, prishja shqiptaro-kineze në vitin 1978 pati si pasojë përmirësimin e marrëdhënieve shqiptarojugosllave. Shqipëria u detyrua të mbushte boshllëkun e madh të krijuar nga përfundimi i tregtisë dhe i ndihmës kineze; Jugosllavia ndodhej në një pozicion të favorshëm gjeografik dhe ishte e gatshme të përgjigjej për arsyet e veta taktike dhe strategjike. Për më tepër, vendimi i Titos për të ngritur statusin e shqiptarëve në Kosovë në dëm të serbëve dhe malazezëve vendas mund ta ketë bindur Tiranën të tregohej edhe më e gatshme për bashkëpunim.

Së fundi, politika e përllogaritur e Beogradit për t’i përdorur shqiptarët etnikë në Jugosllavi si një “urë” drejt krijimit të lidhjeve më të mira me Tiranën i dha Hoxhës një mundësi të veçantë për të çuar përpara aspiratat e veta nacionaliste në Jugosllavi. Me sa duket, për Hoxhën ishte e qartë se udhëheqja jugosllave mbështetej te përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe për të shtuar ndikimin e saj në Shqipëri, veçanërisht në periudhën pas Hoxhës, ndërkohë që, njëkohësisht, synonte të pengonte çdo afrim ndërmjet Tiranës dhe Moskës.

(C) Politika jugosllave e “fqinjësisë së mirë” solli shtimin e shkëmbimeve ekonomike, kulturore dhe arsimore, të cilat arritën nivele të paprecedent që nga viti 1948. Në të njëjtën kohë, udhëheqësit e Shqipërisë e shfrytëzuan këtë mundësi për të përhapur pikëpamjet dhe ideologjinë e tyre ndër shqiptarët etnikë të pakënaqur. Ndikimi i përpjekjeve të tyre propagandistike duhet të ketë qenë i konsiderueshëm, veçanërisht mbi të rinjtë dhe intelektualët e vënë në shënjestër. Sidoqoftë, ata luajtën role kyçe në organizimin dhe në nxitjen e trazirave të Kosovës, si dhe në mbajtjen gjallë të dhunës dhe të pakënaqësisë në krahinë.

(C) Në shkëmbimet e ashpra polemike lidhur me Kosovën, Tirana mbështeti kërkesat e shqiptarëve etnikë që krahinës t’i jepej statusi i republikës dhe i akuzoi jugosllavët, mbi të gjitha “serbomëdhenjtë”, për shfrytëzimin dhe persekutimin e pakicës shqiptare në Jugosllavi.

Tirana akuzoi gjithashtu Titon dhe udhëheqës të tjerë jugosllavë, se nuk kishin mbajtur premtimin për t’ia kthyer Shqipërisë, pas luftës, Kosovën dhe zonat e tjera të Jugosllavisë të banuara nga shqiptarë.

(U) Zyrtarët jugosllavë, nga ana e tyre, e akuzuan regjimin shqiptar për organizimin e trazirave në Kosovë, për ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Jugosllavisë dhe për bashkëpunim me forcat antijugosllave që synonin destabilizimin dhe shkatërrimin e Federatës.

(U) Teksa polemikat u bënë më të ashpra, marrëdhëniet dypalëshe u përkeqësuan ndjeshëm. Një ndërprerje e marrëdhënieve dukej e afërt pas një shpërthimi në Ambasadën Jugosllave në Tiranë: në të vërtetë, gjatë protestave diplomatike, akuzave dhe kundërakuzave, shqiptarët praktikisht i sfiduan jugosllavët që t’i ndërprisnin marrëdhëniet.

(C) Megjithatë, të dyja palët dukej se ishin të vetëdijshme se çdo ndërprerje e marrëdhënieve do t’u sillte dobi vetëm sovjetikëve. Deklaratave zyrtare jugosllave që bënin thirrje për vazhdimin e marrëdhënieve (mbi bazën e barazisë, mosndërhyrjes në punët e brendshme, respektit të ndërsjellë etj.) iu përgjigjën reciprokisht zyrtarët shqiptarë, të cilët theksonin përfitimet e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare. Bashkëpunimi ekonomik vazhdoi; regjimet rifilluan negociatat për tregtinë, transportin dhe forma të tjera të veprimtarisë ekonomike. Në prill 1982, një marrëveshje dypalëshe përcaktoi afatet për fillimin e ndërtimit dhe vënien në funksionim të një linje hekurudhore ndërmjet dy vendeve – linja e parë që do të lidhte sistemin hekurudhor shqiptar me atë të Jugosllavisë dhe të Europës. Nga ana tjetër, autoritetet jugosllave i kufizuan në mënyrë drastike shkëmbimet kulturore dhe arsimore për shkak të potencialit të tyre për të nxitur “irredentizmin dhe nacionalizmin shqiptar”.

(C) Gjatë disa prej muajve të fundit, polemikat janë zbutur ndjeshëm, megjithëse të dyja palët vazhdojnë fushatat e tyre propagandistike kundër njëra-tjetrës. Por trazirat në Kosovë dhe pasojat e tyre duket se i kanë dhënë fund çdo perspektive për një afrim domethënës ndërmjet Beogradit dhe Tiranës gjatë jetës së Hoxhës.

TIRANA HEDH POSHTË OFERTAT E MOSKËS PËR AFRIM

(U) Armiqësia e Shqipërisë ndaj Moskës ka qenë më e fortë se sa ajo ndaj Pekinit. Për Tiranën, “revizionizmi” sovjetik është “më i rrezikshmi ndër revizionizmat modernë” në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Tirana nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike me Moskën që nga viti 1961. Ajo ruan marrëdhënie diplomatike me Pekinin, megjithëse lidhjet e tjera janë praktikisht inekzistente.

(C) Interesi i Moskës për të rifituar ndikimin në Shqipëri është i qartë. Rivendosja nga sovjetikët e një baze detare në Adriatik do të kishte pasoja të rëndësishme ushtarake dhe strategjike për të gjithë rajonin. Në të njëjtën kohë, një marrëveshje me Tiranën do t’i mundësonte Moskës të ushtronte trysni të mëtejshme politike mbi Jugosllavinë.

(C) Mediet sovjetike kanë qenë të përmbajtura lidhur me zhvillimet në Shqipëri që nga vdekja e Shehut, ndoshta sepse Moska ka llogaritur se polemikat në këtë moment mund të rrezikonin mundësitë për përmirësimin e marrëdhënieve. Pak përpara vdekjes së Shehut, sovjetikët kishin bërë thirrje për normalizimin e marrëdhënieve me Tiranën: në komente të ndryshme të nëntorit 1981, kushtuar përvjetorëve të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare dhe çlirimit të vendit nga Gjermania naziste, mediet sovjetike përsëritën gatishmërinë e BRSS-së për të normalizuar marrëdhëniet, në çdo kohë, në interes të së dy vendeve, të socializmit dhe të “luftës kundër imperializmit”. Mediet theksuan gjithashtu përfitimin dhe rëndësinë që kishte pasur për Shqipërinë bashkëpunimi i saj i pasluftës me BRSS-në dhe vendet e tjera socialiste në çështjet politike, ekonomike, të mbrojtjes dhe të politikës së jashtme.

(U) Megjithatë, brenda ditës së bërjes së ofertës për normalizimin e marrëdhënieve, anëtari i Byrosë Politike të Partisë Shqiptare dhe ministri i Mbrojtjes, Hazbiu (gjithashtu kunati i Shehut dhe anëtar i “gardës së vjetër” partizane), riafirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për të ndjekur një politikë të jashtme të pavarur dhe për të “demaskuar revizionizmat modernë të së gjitha ngjyrave, qofshin titiste, hrushoviane, brezhnjeviane, kineze apo eurokomuniste”. Një javë më parë, Hoxha kishte sulmuar ashpër politikat sovjetike në kongresin e partisë shqiptare dhe kishte përjashtuar çdo marrëdhënie me Moskën. Në fjalimin e tij të parë si kryeministër, në janar 1982, Çarçani sulmoi Moskën dhe aleatët e saj të Traktatit të Varshavës si: “armiqtë tanë më të egër”. Çarçani përjashtoi gjithashtu çdo lloj marrëdhënieje me Moskën (ose Uashingtonin), si në atë kohë, ashtu edhe në të ardhmen.

NDËRMJETËS SOVJETIKË QË KËRKOJNË AFRIMIN ME TIRANËN?

(U) Bullgaria, e cila ka luajtur rolin kryesor ndër aleatët e Moskës në Traktatin e Varshavës, në përpjekjet për të afruar Shqipërinë, ka bërë gjithashtu thirrje për normalizimin e marrëdhënieve të Shqipërisë, jo vetëm me Bullgarinë, por edhe me anëtarët e tjerë të Traktatit të Varshavës. Mediet bullgare vlerësojnë mbështetjen që BRSS-ja dhe vendet socialiste i kanë dhënë Shqipërisë dhe shprehin keqardhje që lidhjet e Tiranës me Sofjen (dhe me vendet e tjera të Traktatit të Varshavës) kufizohen kryesisht në fushën tregtare dhe ekonomike. Por Tirana i ka hedhur poshtë kategorikisht këto përpjekje.

(C/NF) Shqipëria ruan marrëdhënie parti me parti dhe marrëdhënie të plota diplomatike me Vietnamin, i cili tani mund të luajë rolin e një ndërmjetësi për Moskën. Ndër partitë në pushtet, vetëm vietnamezja dërgoi një delegacion në Kongresin e Partisë Shqiptare të nëntorit 1981; thuhej se delegacioni kishte përcjellë një mesazh nga Moska, në të cilin sugjerohej normalizimi i marrëdhënieve dhe ofrohej ndihmë ushtarake dhe ekonomike. Në mars të këtij viti, një delegacion i partisë shqiptare mori pjesë në kongresin e partisë vietnameze, në Hanoi (së bashku me sovjetikët dhe delegacionet e tjera “revizioniste”).

(C/NF) Zyrtarët jugosllavë i shohin me dyshim dhe me shqetësim përpjekjet bullgare dhe sovjetike për afrim me Shqipërinë. Ata e konsiderojnë Sofjen si vepruese për të çuar përpara interesat sovjetike në Ballkan, si dhe ambiciet e veta në Maqedoni. Për më tepër, disa jugosllavë lënë të kuptohet se sovjetikët, bullgarët dhe shqiptarët (ose të paktën shërbimet e tyre të inteligjencës) po bashkëpunojnë për të minuar Jugosllavinë, me synimin që Kosova dhe zonat e tjera të Jugosllavisë, të banuara nga shqiptarë, t’i kalonin Shqipërisë, ndërsa Maqedonia të aneksohej nga Bullgaria.

Prania vietnameze në Kongresin e Partisë Shqiptare shtoi gjithashtu dyshimet në Beograd, rreth synimeve sovjetike. Një komentues jugosllav theksoi se si Shqipëria, ashtu edhe Vietnami kishin “shumë të përbashkëta për sa i përket politikës së tyre ndaj Jugosllavisë, si edhe ndaj Kinës dhe Kampuçias [Kamboxhias]”. Komentuesi pyeste nëse delegacioni vietnamez në kongres ndodhej atje për të përfaqësuar vetveten “apo edhe dikë tjetër”.

TIRANA ZOTOHET TË DEMASKOJË “TRADHTITË” KINEZE

(C) Aleanca “e përjetshme, e pathyeshme” ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës filloi të shfaqte tensione pas vizitës së fshehtë në Kinë, në vitin 1971, të këshilltarit të atëhershëm për Sigurinë Kombëtare, Kissinger. Udhëheqësit kinezë, me sa duket, nuk e kishin parë të nevojshme të konsultoheshin me zyrtarët shqiptarë lidhur me synimet e tyre ndaj ShBA-së. Po kështu, është e qartë se Tirana nuk e miratonte vendimin e Kinës për të përmirësuar marrëdhëniet me Jugosllavinë. Në atë kohë, natyrisht, vlera e Shqipërisë si aleate politike kishte rënë, ndërsa Kina po bëhej gjithnjë e më pak e izoluar në bashkësinë ndërkombëtare.

(U) Hoxha ka pranuar se Partia Shqiptare e kuptoi me vonesë “kursin antimarksist” që po ndiqnin kinezët. Ai pretendoi se përkeqësimi i marrëdhënieve dypalëshe nuk ishte faj i Shqipërisë, por i udhëheqjes kineze dhe i “politikës së saj armiqësore, antishqiptare”. Për shkak të kësaj pabesie dhe tradhtie të pretenduar, udhëheqësit shqiptarë u zotuan të zhvillonin një “luftë parimore për të demaskuar plotësisht revizionizmin kinez dhe për të treguar ndarjen e qartë ndërmjet marksizëm-leninizmit dhe ideve antimarksiste të Mao Ce Dunit”. Kina u akuzua gjithashtu se ishte rreshtuar me ShBA-në, Japoninë dhe “forcat më të errëta dhe fashiste në botë”, si dhe se ishte një “fuqi imperialiste agresive me pretendime për hegjemoni botërore”.

(C) Zyrtarët shqiptarë tani pranojnë në mënyrë të tërthortë se prishja me Kinën shkaktoi vështirësi ekonomike dhe ndikoi në vendimin e Tiranës për të zgjeruar marrëdhëniet me vende të tjera. (Për shkak të largësisë gjeografike, Kina nuk ishte perceptuar kurrë, në vetvete, si një mbrojtje ndaj një Jugosllavie agresive.)

ARMIQËSIA NDAJ ShBA-së

(U) Shqipëria nuk ka pasur marrëdhënie zyrtare me ShBA-në, që nga nëntori 1946, kur misioni amerikan në Tiranë u tërhoq. Në deklaratat kryesore të kohëve të fundit mbi politikën e jashtme, Hoxha dhe udhëheqës të tjerë të lartë e dënuan ashpër ShBA-në për politikat e saj “imperialiste” dhe përjashtuan “marrëdhënie diplomatike apo të çfarëdo lloji tjetër” me të. Hoxha dënoi gjithashtu politikat e Presidentit Reagan si “dëshmi të qarta të vijës më të ashpër, më agresive dhe më aventuriere në politikën e jashtme të ShBA-së, e cila mbështetet gjithnjë e më shumë në forcën ushtarake”.

(U) Në prill 1973, zëvendëssekretari i Shtetit, Rush, deklaroi se, nëse, dhe kur, Shqipëria do të dëshironte të rivendoste marrëdhëniet, ShBA-ja do të ishte e gatshme t’i përgjigjej pozitivisht. Që nga ajo deklaratë, zyrtarë të tjerë të Departamentit të Shtetit kanë riafirmuar periodikisht gatishmërinë e ShBA-së për të diskutuar normalizimin e marrëdhënieve, sa herë që Shqipëria të ishte e gatshme ta bënte këtë. Tirana nuk është përgjigjur kurrë.

(C) Perspektivat për rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaroamerikane duken pothuajse joekzistente për sa kohë Hoxha mbetet në pushtet ose nëse atë e pason një regjim po aq tradicional. Megjithatë, një regjim pasardhës, i cili nuk do të ishte i lidhur me politikat e ashpra ideologjike dhe izoluese të Hoxhës, mund të ishte më i prirë të shqyrtonte një qëndrim më të hapur ndaj ShBA-së dhe fuqive të tjera të mëdha: BRSS-së, Republikës Federale të Gjermanisë (RFGJ) dhe Mbretërisë së Bashkuar, me të cilat Shqipëria nuk ka marrëdhënie diplomatike.

(C/NF) VAZHDIMI I POLITIKËS SË HOXHËS/SHEHUT PËR ZGJERIMIN E MARRËDHËNIEVE ME PERËNDIMIN

Që nga vdekja e Shehut, regjimi ka bërë hapa të kujdesshëm drejt vendosjes së marrëdhënieve me vende të përzgjedhura Perëndimore:

– Ambasadori shqiptar në Beograd i ka bërë të ditur “jozyrtarisht” homologut të tij kanadez se, nëse Kanadaja dëshironte të vendoste marrëdhënie diplomatike, Shqipëria nuk do të shihte asnjë pengesë për këtë. (Qasja ndaj Kanadasë ishte e ngjashme me atë që i ishte bërë Japonisë disa vite më parë, nëpërmjet të njëjtit ambasador shqiptar. Kjo çoi përfundimisht në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-japoneze.)

– Diplomatët shqiptarë në Vjenë kanë deklaruar se Shqipëria tani është e përgatitur të normalizojë marrëdhëniet e saj me Spanjën dhe me vende të tjera të Mesdheut. (Në shkurt 1980, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë shqiptare të Tregtisë së Jashtme, u dërgua në Spanjë për të diskutuar zgjerimin e marrëdhënieve tregtare; kjo ishte hera e parë që një zyrtar shqiptar i rangut të lartë vizitonte Spanjën.)

Përpjekjet e Shqipërisë për afrim duket se motivohen më shumë nga konsiderata ekonomike sesa nga ndonjë dëshirë për të përmirësuar marrëdhëniet politike ose për të përballuar trysnitë e një popullsie të pakënaqur. Nuk përfshihen probleme të rëndësishme politike/ideologjike apo “çështje parimore”. Nga ana tjetër, Tirana nuk ka treguar asnjë prirje për të bërë lëshime në sondazhet e saj lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar, dhe Republikën Federale të Gjermanisë (RFGJ):

– Udhëheqësit shqiptarë kërkojnë që Britania, si kusht paraprak, t’i kthejë Shqipërisë arin e saj të periudhës para Luftës së Dytë Botërore (të konfiskuar nga Fuqitë e Boshtit dhe që tani mbahet nën administrimin e Komisionit Trepalësh të Arit: ShBA, Mbretëri e Bashkuar dhe Francë), së bashku me interesat e akumuluara. Derisa kjo të ndodhë, Shqipëria jo vetëm që refuzon të marrë në shqyrtim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por nuk pranon as të zhvillojë diskutime me britanikët; dhe – udhëheqësit shqiptarë kërkojnë, si kusht për vendosjen e marrëdhënieve, që Republika Federale e Gjermanisë (RFGJ) të paguajë reparacione (rreth 4,5 miliardë dollarë amerikanë) për dëmet që Shqipëria pësoi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

(C/NF) QËNDRIMET E MBRETËRISË SË BASHKUAR DHE RFGJ-SË NDAJ PARAKUSHTEVE TË SHQIPËRISË

Britanikët këmbëngulin që Shqipëria, përpara se të mund të zhvillohen diskutime për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe zgjidhjen e pretendimeve të pazgjidhura të Shqipërisë mbi arin, duhet të paguajë dëmshpërblimin për incidentin detar të Kanalit të Korfuzit të tetorit 1946.

(U) Dy destrojerë britanikë u fundosën nga mina të padeklaruara, në brigjet shqiptare: sipas raportimeve, 38 persona u vranë dhe 43 u plagosën. Në vitin 1949, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha një vendim që përcaktonte përgjegjësinë e Shqipërisë për incidentin dhe i akordoi Britanisë së Madhe 843 947 paund dëmshpërblim.

Tirana pretendoi se “nuk dinte asgjë për vendosjen e minave dhe nuk kishte as minat, as mjetet dhe as ekspertët për t’i vendosur ato”. (Pretendime mbi këtë ar janë paraqitur nga ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia.) Tirana refuzon kategorikisht si çdo lidhje ndërmjet incidentit të Kanalit të Korfuzit dhe kthimit të arit, ashtu edhe pagesën e çfarëdo dëmshpërblimi që lidhet me incidentin e Kanalit të Korfuzit. Në shkurt 1979, qeveria shqiptare iu drejtua Mbretërisë së Bashkuar për të diskutuar kthimin e arit. Në atë kohë, Banka e Shtetit Shqiptar e vlerësonte atë në 22,8 milionë dollarë amerikanë. Propozimi britanik, një vit më vonë, për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike përpara zgjidhjes së çështjes së arit, u hodh poshtë nga Tirana.

(C/NF) Po kështu, diskutimet e herëpashershme ndërmjet diplomatëve të Gjermanisë Perëndimore dhe atyre shqiptarë, në Beograd dhe në Vjenë, duket se nuk kanë çuar askund. Gjermanoperëndimorët e interpretojnë parakushtin shqiptar për pagesën e reparacioneve, në kuptimin, se Boni duhet të paguajë madje, edhe për dëmet e shkaktuara nga italianët. Boni është i gatshëm të zhvillojë diskutime, pa parakushte, për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe t’i shtyjë diskutimet e natyrës ekonomike deri kur bisedimet për marrëdhëniet diplomatike, të kenë përfunduar me sukses. Tirana e ka refuzuar kategorikisht këtë qasje.

(C/NF) ITALIA NË POLITIKËN E JASHTME PAS SHEHUT

Për sa i përket Italisë, Tirana ka treguar pak interes për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe ose për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore, që nga vdekja e Shehut. Në të vërtetë, thuhet se politika e jashtme shqiptare është bërë edhe më e ngurtë në këtë drejtim. Tirana mund të mos jetë më, aq e interesuar për zgjerimin e marrëdhënieve me Italinë, sepse marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë janë përmirësuar, që nga pika e tyre më e ulët, verën e kaluar. Marrëveshja italoshqiptare e qershorit 1980, për shkëmbimet arsimore, kulturore dhe shkencore për vitet 1981-1983, u nënshkrua, dhe nisën negociatat për shërbimin e trageteve ndërmjet dy vendeve, në një kohë kur Tirana, me ç’duket, po përpiqej të zgjeronte kontaktet me Italinë dhe me vende të tjera Perëndimore, për të kundërpeshuar masat hakmarrëse jugosllave për rolin e Shqipërisë në trazirat e Kosovës. Jugosllavia kishte filluar tashmë të anulonte shkëmbime të ndryshme me Shqipërinë dhe po kërcënonte me masa të tjera ndëshkuese që preknin tregtinë, transportin dhe komunikacionin.

POLITIKA BALLKANIKE DHE QËNDRIMET NDAJ VENDEVE TË BALLKANIT

(U) Brenda rajonit të Ballkanit, Shqipëria këmbëngul që tregtia dhe bashkëpunimi i saj ekonomik të zhvillohen mbi baza dypalëshe. Ajo e ka kundërshtuar vazhdimisht bashkëpunimin shumëpalësh dhe ka refuzuar të marrë pjesë në dy konferencat ballkanike të zhvilluara deri atëherë, duke përmendur si arsye kundërshtimin ndaj pjesëmarrjes së Bullgarisë dhe kundërshtimin parimor ndaj multilateralizmit. Shqiptarët e akuzojnë Bullgarinë se është “baza e përparuar e imperializmit sovjetik në Ballkan” dhe i kanë paralajmëruar popujt e Ballkanit të jenë vigjilentë ndaj “kërcënimit” sovjetobullgar. (Që nga viti 1970, udhëheqësit shqiptarë janë zotuar se do të luftonin përkrah Jugosllavisë, Greqisë dhe Rumanisë kundër çdo agresori – nënkupto: sovjetik.)

(U) Por zëdhënësit shqiptarë dënojnë gjithashtu çdo ndërhyrje të superfuqive në Ballkan, duke i akuzuar ShBA-në dhe BRSS-në se kanë “interesa hegjemoniste” në rajon dhe se dëshirojnë ta shndërrojnë atë “në një fuçi baruti të përhershme”. Ndonëse, problemet me të cilat përballet Ballkani, thuhet se janë të ngjashme me ato me të cilat përballet Europa (d.m.th., konfliktet dhe interesat e superfuqive), shqiptarët, pohojnë se konfliktet ballkanike janë më të mprehta dhe më të rrezikshme, për shkak të pozitës strategjike që rajoni zë në përllogaritjet e superfuqive.

(U) Marrëdhëniet me Greqinë janë përmirësuar ndjeshëm që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1970, pas një ndërprerjeje 30-vjeçare. Hoxha pohon se Shqipëria i kushton kujdes të veçantë forcimit të marrëdhënieve të saj miqësore me Greqinë dhe se do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Delegacioni shqiptar, në pritjen e organizuar në Tiranë për Ditën Kombëtare të Greqisë, në mars 1982, përbëhej në mënyrë të dukshme nga përfaqësues të rangut të lartë, ndër të cilët ministrat e Punëve të Jashtme, Tregtisë së Jashtme dhe Arsimit e Kulturës. Mediet shqiptare botuan gjithashtu komente lëvduese për Greqinë, duke përmendur luftërat e saj historike për pavarësi, në të cilat shqiptarët dhe grekët, në periudha të caktuara, kishin luftuar krah për krah.

(U) Marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë janë gjithashtu miqësore, por, në ndryshim nga ato me Jugosllavinë dhe Greqinë, nuk janë të rënduara nga mosmarrëveshje territoriale apo çështje pakicash. Kohët e fundit, Hoxha falënderoi “popullin turk për strehimin vëllazëror të qindra mijëra vëllezërve tanë nga Kosova, të cilët u dëbuan nga trojet e tyre në Jugosllavi”.

(C) Shqiptarët e vlerësojnë qëndrimin, relativisht të pavarur, të Rumanisë, në politikën e jashtme kundrejt Moskës dhe, në përgjithësi, e anashkalojnë anëtarësimin e saj në Traktatin e Varshavës, sepse Rumania, ndryshe nga Bullgaria, nuk shihet si një bazë sovjetike që kërcënon Ballkanin. Megjithatë, përpjekjet shumëvjeçare të Çausheskut për të nxitur pjesëmarrjen e Shqipërisë në takimet shumëpalëshe ballkanike nuk kanë pasur sukses.

(C) Gjatë dy dekadave të fundit, Bullgaria është dënuar në mënyrë më të vazhdueshme nga Shqipëria, sesa çdo anëtar tjetër europianolindor i Traktatit të Varshavës. Përpara prishjes me Moskën dhe aleatët e saj, marrëdhëniet dypalëshe kishin qenë përgjithësisht të mira. Historikisht, Shqipëria ishte lidhur në aleancë me bullgarët kundër serbëve, malazezëve dhe grekëve. Në kundërshtim me dyshimet e përsëritura jugosllave, nuk ka tregues se zyrtarët bullgarë dhe shqiptarë (ose shërbimet e tyre përkatëse të inteligjencës) bashkëpunojnë fshehurazi kundër Jugosllavisë.

(U) DËNOHET LËVIZJA E TË PAINKUADRUARVE

Megjithëse Shqipëria i ka zgjeruar marrëdhëniet e saj diplomatike, tregtare dhe kulturore me vende të ndryshme të Botës së Tretë, ajo refuzon bashkëpunimin shumëpalësh me to ose anëtarësimin në organizatat e tyre politike apo ekonomike (p.sh., Grupi i 77-ës).

Hoxha:

– ka përqeshur idenë se vendet në zhvillim kanë një zë të pavarur në organizatat ndërkombëtare ose se mund të mos pajtohen me superfuqitë;

– ka akuzuar imperializmin se nxit krijimin e organizatave të vendeve në zhvillim, për të krijuar përshtypjen se vendet pjesëmarrëse gëzojnë sovranitet dhe pavarësi;

– ka pretenduar se shumë vende detyrohen t’i bashkohen njërës prej aleancave të superfuqive, edhe pse Lëvizja e të Painkuadruarve, teorikisht, shmang pjesëmarrjen në blloqet ushtarake dhe deklaron se mbron interesat e vendeve në zhvillim kundër superfuqive;

– ka akuzuar udhëheqësit e vendeve të painkuadruara, “veçanërisht jugosllavët, të cilët duan të bëhen udhëheqësit dhe ideologët e lëvizjes”, se parashtrojnë “teori demagogjike” që e përçajnë lëvizjen dhe nxisin konflikte ndërmjet anëtarëve të saj; dhe – ka akuzuar superfuqitë se i shfrytëzojnë këto përçarje dhe konflikte dhe, në këtë mënyrë, diktojnë veprimtarinë e lëvizjes.

NUK PRITEN SHMANGIE TË DUKSHME NGA POLITIKA E JASHTME

(C) Nuk ka gjasa të ndodhin ndryshime të mëdha në politikën e jashtme shqiptare për sa kohë që Hoxha mbetet në pushtet ose gjatë periudhës së menjëhershme pas Hoxhës, veçanërisht nëse do të mbizotërojnë anëtarët e “gardës së vjetër” partizane. Dihet kaq pak për udhëheqësit më të rinj të Shqipërisë ose për konfigurimin e udhëheqjes shqiptare, saqë nuk mund të bëhen parashikime, me ndonjë shkallë sigurie, për drejtimin e ardhshëm të politikës së jashtme të Shqipërisë. Një marrëveshje me BRSS-në është shumë e pamundur, për sa është gjallë Hoxha; deri më sot, ai i ka hedhur poshtë të gjitha përpjekjet e Moskës për afrim. Megjithatë, këto përpjekje, pa dyshim që do të shtohen sapo pasardhësit e Hoxhës të marrin pushtetin.

(C) Një regjim i periudhës pas Hoxhës, i përballur me probleme të ngutshme ekonomike, trazira të përhapura për shkak të kushteve politike dhe ekonomike, ose me një kërcënim të perceptuar nga Jugosllavia apo Perëndimi, mund t’i drejtohej Moskës për ndihmë ushtarake dhe ekonomike. Mundësia e një orientimi drejt Moskës do të shtohej nëse, pas Hoxhës, në udhëheqjen shqiptare do të shfaqej një fraksion prosovjetik (siç hamendësojnë disa jugosllavë dhe diplomatë Perëndimorë), ose nëse një udhëheqje e periudhës pas Brezhnjevit do t’i dukej Tiranës më e pranueshme. Me pak fjalë, ndryshimet e afërta në udhëheqjen e BRSS-së dhe të Shqipërisë mund t’i shtynin të dy regjimet të përpiqeshin të zgjidhnin mosmarrëveshjet e mbetura prej kohësh dhe të rifillonin marrëdhënie më normale, edhe pse jo të ngushta.

(C) Për shkak të Kosovës dhe “problemit” shqiptar në Jugosllavi, një përmirësim thelbësor i marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në tërësi, duket i largët, pavarësisht marrëveshjeve të fundit ekonomike, të lidhura ndërmjet dy vendeve. Duke pasur parasysh dyshimin e thellë të Hoxhës ndaj sovjetikëve, ai mund t’i zbusë përsëri ambiciet e tij nacionaliste dhe armiqësinë ndaj “revizionizmit” jugosllav. Ndoshta, është po aq e rëndësishme, se ai madje, mund të shmangë edhe veprimet që kërcënojnë stabilitetin dhe unitetin kombëtar të Jugosllavisë. Pavarësisht nga ndjenjat e tij personale ndaj Jugosllavisë apo “serbomëdhenjve”, Hoxha mund ta kuptojë fare mirë se një Jugosllavi e qëndrueshme dhe e bashkuar ka më shumë gjasa t’u rezistojë depërtimeve sovjetike në Ballkan dhe kundër Shqipërisë, sesa një shtet i dobët, pa kohezion ose i cunguar.

(C) Edhe sikur të bëhej një “Shqipëri e Madhe” (që, sipas raportimeve, është ëndrra e shumicës së shqiptarëve), udhëheqësit e Tiranës mund të mos ishin në gjendje t’i përballonin në mënyrë efektive problemet që do ta shoqëronin atë. Përpjekja për të asimiluar rreth 1,6 milionë shqiptarë nga Jugosllavia – me nivelin e tyre përgjithësisht më të lartë arsimor, me liri politike, shoqërore dhe ekonomike shumë më të mëdha dhe me standarde më të larta jetese, – me 2,6 milionë banorët e Shqipërisë, mund të shndërrohej lehtësisht në një faktor të madh përçarës, duke lindur fraksione të reja politike dhe grupe interesi dhe duke e bërë vendin edhe më të ndjeshëm ndaj ndikimeve dhe ndërhyrjeve të huaja.

(C/NF) Ashtu si në të kaluarën, gjendja e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave ka shumë të ngjarë të mbetet elementi përcaktues në politikën e jashtme të përgjithshme të Tiranës. Nëse marrëdhëniet dypalëshe do të përkeqësoheshin seriozisht, shqiptarët do të ishin më të prirë t’i drejtoheshin Moskës për mbrojtje. Në të kundërt, përmirësimi i marrëdhënieve, mund ta bindte Shqipërinë që të bëhej më dashamirëse ndaj Lëvizjes së të Painkuadruarve dhe ndaj Perëndimit.

Megjithatë, pavarësisht nga orientimi i saj i theksuar antijugosllav, jugosllavët madje, mund të ishin të kënaqur me vazhdimin e politikës së jashtme të tanishme të Shqipërisë. Shqipëria është antiperëndimore po aq sa edhe antisovjetike; ajo nuk është e rreshtuar me asnjërin prej dy blloqeve ushtarake dhe duket vendosmërisht e përcaktuar për të ruajtur pavarësinë e saj. Ajo nuk përbën kërcënim për pavarësinë ose stabilitetin e Jugosllavisë, – duke supozuar se Kosova mbetet një problem që regjimi i Beogradit është në gjendje ta mbajë nën kontroll.

(C/NF) Pozita strategjike e Shqipërisë në Ballkan dhe në Adriatik i jep asaj një rëndësi të tillë, si për Traktatin e Varshavës edhe për NATO-n, që e tejkalon shumë përmasën dhe popullsinë e saj [shënim: theksimi i shtuar – A. H.]. Në fund të fundit, politika e jashtme e Shqipërisë mund të varet nga problemet dhe zhvillimet e brendshme (p.sh., fraksionizmi politik, vështirësitë ekonomike dhe masat e marra për kapërcimin e tyre, trazirat popullore që kërcënojnë stabilitetin e regjimit), të cilat mund ta detyrojnë udhëheqjen të kërkojë ndihmë jashtë vendit për zgjidhjen e tyre. Vendet që janë më drejtpërdrejt të interesuara për drejtimin që do të marrë kjo politikë e jashtme, duket se po presin momentin e përshtatshëm, duke u përpjekur ndërkohë që të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre me regjimin aktual, në mënyrë që të kenë marrëdhënie të përzemërta dhe të frytshme me pasardhësit e Hoxhës.

Mbetet për t’u parë, nëse ajo periudhë do të karakterizohet nga vazhdimësia dhe stabiliteti, apo nga dhuna, nga kthesa të menjëhershme në politikën e jashtme dhe nga ndërhyrja e huaj. /Gazeta “Panorama”/

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Studiuesit e kanë hetuar këtë çështje për shekuj me radhë,…